Gjykata e Pireut ka vendosur të lerë në burg 11 të pandehurit për dosjen e gomones me 1,6 tonë kanabis, të nisur nga Shqipëria, që u kap më 25 nëntor.

Hetuesi dhe prokurori i çështjes u kanë komunikuar atyre masën e paraburgimit, pas përfundimit të deponimeve që zgjatën tri ditë, nga e mërkura deri të premten. Në ditën e fundit deponuan dy grekë, dy shqiptarë dhe një bullgar. Sipas akuzës, biznesmeni grek, Spiros Kardamis, përmes kompanive të tij detare, i kishte siguruar organizatës mjete supermoderne dhe të përshtatura posaçërisht, për transportin e drogës. Një prej skafeve është ai që u kap pas përndjekjes nga Korfuzi në ishullin Kea, ndërsa tjetri u sekuestrua në parkingun e skafeve që kishte greku tjetër i pandehur. Biznesmeni Kardamis sillet që gjatë deponimit të ketë pranuar se ka kompani detare, por se nuk kishte asnjë lidhje me trafikun e lëndëve narkotike. Media greke citon burime nga akuza sipas të cilëve edhe në të kaluarën Kardamis ka administruar skafe që ishin implikuar në trafik droge.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, ANA-MPA, si kreu i organizatës kriminale dyshohet një shtetas italian me moshë 31 vjeç, gjithashtu i arrestuar. Ai ka thënë në hetuesi se gjendej në Greqi që të merrte një skaf e ta çonte në Itali, në një kantier për t’u riparuar dhe se nuk kishte asnjë dijeni për lëndët narkotike dhe transportin e tyre. Ndërsa italiani tjetër, një 57 vjeçar, që ndodhej në bordin e skafit, tha se i ishte bërë presion nga rrjeti i trafikantëve, pasi u kishte para borxh dhe prandaj u detyrua që të merrte përsipër transportimin e drogës. Por ai është person i skeduar nga autoritetet greke, pasi ishte arrestuar edhe më përpara për trafik klandestinësh. Ai madje vuante dënimin në Greqi dhe kur i ishte dhënë leje nga burgu, nuk u kthye më. të 11 të pandehurit do të mbahen në paraburgim në burgun e Koridalosit në Athinë.

Artikulli paraprakPËRMBYTJET NË AUTOSTRADË, RAMA: JO PËR SHKAK TË PALMAVE. PËRGJEGJËS ATA QË KANË NDËRTUAR PA LEJE
Artikulli tjetërRIKTHEHET UJI I PIJSHEM NE SHKODER,SPECIALISTET JAPIN KESHILLA