Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur detyrat dhe pret hapjen e negociatave në tetor.

“Detyrat e vendit sa i takon negociatave i kemi përmbushur më së miri. Nuk ka ende një datë për çeljen e negociatave për të dy vendet. Vendimi pritet të merret në mes të tetorit” tha ai pas takimit me ministrin e Brendshëm maqedonas Spasovski.

Referuar arrestimit të prokurores speciale Katica Janeva në Maqedoni për rastin ‘zhvatja’, i pyetur nëse edhe Shqipëria i ka plotësuar kushtet për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta ashtu si vendi fqinj, Lleshaj tha se edhe Shqipëria ka në hetim ish-kryeprokurorin e përgjithshëm.

“Meqenëse shkuat direkt tek prokurorja, sa di unë edhe këtu është në ndjekje penale ish-prokurori i përgjithshëm”tha ai, referuar hetimeve për Adriatik Llallën.

Fjala e plotë e Sandër Lleshajt në Pustec
Jemi këtu në Pustec, bashkë me Ministrin e Brendshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në një takim, i cili synon të përcjellë disa mesazhe të rëndësishme. Kemi diskutuar rreth bashkëpunimit shumë të mirë dypalësh në fushën e sigurisë dhe rendit publik dhe me theks të veçantë bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të kufirit të përbashkët.

Kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord për të vijuar më tej procesin e lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat tona kufitare, me objektin që në një kohë shumë të shpejtë, të kalojmë në modelin “One stop shop” në pikën e Qafë Thanës dhe me objektivin për t’u thelluar më tej edhe në pikat e tjera kufitare me qëllim që standardin “One stop shop” ta kemi në të gjitha pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Po ashtu kemi diskutuar çështje të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimin operacional policor në fushën e luftës kundër krimit. Kemi diskutuar për rakordimin e përpjekjeve në drejtim të integrimit europian të të dy vendeve tona. Dhe po ashtu kemi diskutuar rreth intensifikimit të përpjekjeve të përbashkëta të të dy qeverive për ta mbështetur edhe bashkinë e Pustecit, e cila përfaqëson dhe një bashki “urë” midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të angazhohemi seriozisht, edhe si ministra të Brendshëm, por edhe si qeveri, në mënyrë që në bashkinë e Pustecit të thellojmë bashkëpunimin, të intensifikojmë investimet në mënyrë që kjo të shndërrohet në një model shumë të mirë ndërkufitar, pra të një bashkie e cila lidh të dy vendet tona, pse jo, të tre vendet, sepse është një bashki që në fakt lidh tre vende, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

Edhe njëherë, falënderoj Ministrin maqedon për vizitën.

Artikulli paraprakBILANCI I ZJARREVE, 50 HA PYLL U DOGJËN NË SHËNGJIN
Artikulli tjetërSHPËRTHIMI I VULLKANIT “STROMBOLI”NDALOHET LEVIZJA E TURISTEVE