Ndonëse i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale ka rifilluar sërish prodhimin e pijeve freskuese në punishten e cila ishte në sekuestro preventive prej dy vitesh.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xhavit Kasemi , 55 vjeç, banues në lagjen “Ajasëm” Shkodër, i arrestuar dhe më parë për të njëjtat vepra penale.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në punishten e tij e cila është e bllokuar që nga viti 2017 ku është bërë sekuestro preventive , janë gjetur të prodhuara në mënyrë të kundraligjshme pije të ndryshme të cilat kishin etiketa të falsifikuara si dhe shirita etiketash të ndryshme.

Kasemi i cili është gjykuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale fitoi pafajësinë në dy shkallë të gjyqësorit në vitin 2013, ndërsa katër vite më vonë ai u kap në kamera të fshehtë duke shitur dhe reklamuar prodhime false si të importuara nga Italia.

Menjëherë pas publikimit të pamjeve, më 19 shtator, policia kontrolloi ambientet e subjektit të tij dhe zbuloi se në depozita karburanti të ndryshkura. Kasemi mbante vajin ushqimor të cilin më pas e hidhte në treg. Në magazinë u gjetën gjithashtu ambalazhe pijesh të ndryshme.

Ndërkohë po në kuadër të Plan-Operacionit “Vjeshtë 2017” policia ka sekuestruar 2300 m2 pasuri të paluajtshme dhe 4 automjete të kasemit. Policia I konfiskoi atij të gjithë aktivitetin tregtar të subjektit “Briland”, i cili merret me prodhimin e pijeve.

Cështja I ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale ”Punësim i paligjshëm” , “Shkelje e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Prodhim dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”.

Artikulli paraprakSHKODËR, KREZMIMI I TË RINJVE NË KISHËN KATOLIKE
Artikulli tjetërSHKODËR-HANI HOTIT, AKSIDENT ME TRE TË PLAGOSUR