Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, me anë të një statusi në “Twitter” ka konfirmuar pjesëmarrjen e Sekretarit të Shtetit Amerikan Mike Pompeo, në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit.

Forumi do të zhvillohet më 28 tetor dhe synon të krijojë një front të bashkuar të vendeve ballkanike për të punuar bashkarisht kundër anti-semitizmit.

Në Forum do të marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të rajonit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, përfaqësues të Parlamentit të Bosnje-Herzegovinës, si edhe zyrtarë të lartë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli.

“Lufta kundër antisemitizmit është një domosdoshmëri dhe kritike morale për promovimin e lirisë fetare. Është nderi ynë të shpallim Sekretarin e Shtetit të SHBA Michael Pompeo, si folësin kryesor të Forumit të Ballkanit 2020 Kundër Anti-Semitizmit”, thuhet nw njoftimin e Forumit.

“Mirënjohës ndaj Sekretarit të Shtetit të SHBA Michael Pompeo, i cili sapo konfirmoi se ishte folësi kryesor i Forumit të Ballkanit 2020 Kundër Anti-Semitizmit”, shkruan Balla.

Sot Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, propozuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetja Blerina Gjylameti.

Artikulli paraprakSORECA PËRSHËNDET MIRATIMIN E REZOLUTËS ANTISEMITIZËM: BE ËSHTË E VENDOSUR TË LUFTOJË KËTË FENOMEN TË ERRËT
Artikulli tjetërSTAR TREND – 22.10.2020