Kryetari i Partisë Demokratike ka nisur vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me takime me kongresmenë dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut.

Sfidat e Shqipërisë për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe shtetit të së drejtës, si zbatimi i reformës së dekriminalizimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma në drejtësi janë në qendër të axhendës së liderit të opozitës Lulzim Basha. Basha u prit në Washington nga drejtuesit e lartë të Këshillit të Atlantikut. Në këtë takim të konceptuar si seancë degjimore, kreu i opozitës iu përgjigj interesit të Zv/Presidentëve të Këshillit të Atlantikut Damon Wilson dhe Fran Burwell, anëtarëve të bordit Ian Berzinski dhe Frank Kramer mbi situatën politike dhe zhvillimet në Shqipëri dhe rajon. E në veçanti mbi ecurinë e procesit të dekriminalizimit, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe rolin e Shqipërisë në NATO, çështje të sigurisë, luftës kundër terrorizmit etj. Kryetari i Partisë Demokratike e ka konsideruar të paprecedent për një vend demokratik dhe aq më tepër një vend anëtare të NATO-s që në Parlament të ulen njerëz me rekorde kriminale, të dënuar për trafik të qenieve njerëzore, trafik droge, plagosje me dashje, siç ka ndodhur në Shqipëri me bekimin e kryeministrit. Basha theksoi se sot në Shqipëri ka një përballje jo mes socialistëve dhe demokratëve por mes shumicës dërrmuese të qytetarëve nga njëra anë dhe një grushti oligarkësh të cilët kanë futur në duart e tyre pasuritë publike, paratë e qytetarëve dhe janë të vetmit përfitues të tenderave dhe koncesioneve.

/ Star Plus TV /

Artikulli paraprakÇËSHTJA E EMIGRANTËVE, REAGON SAIMIR TAHIRI
Artikulli tjetërKOMPANIA E SHËRBIMIT URBAN I PËRGJIGJET TONIN MARINAJT