Ndeshja e parë finale në basketbollin e meshkujve mes Vllaznisë dhe Teutës u transmetua drejtpërdrejtë nga televizioni sportiv “Telesport”.

Në fakt për transmetimet të drejtpërdrejta televizive në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi”, teatrin “Migjeni” apo institucione të tjera të varësisë me anë të paketës fiskale të miratuar është vendosur që televizionet të paguajnë një tarifë prej 50 mijë lekësh të reja. Këtë shumë që tashmë është një detyrim për këdo burime konfidenciale pranë bashkisë Shkodër dhe pallatit të sportit “Qazim Dërvishi” bëjnë me dije se televizioni “Telesport” nuk e ka paguar. Nëse është kështu siç tregojnë persona të afërt pranë bashkisë dhe pallatit të sportit atëherë është shqetësuese sepse në radhë të parë vetë bashkia që ka vendosur një rregull taksativ përmes këshillit bashkiak e shkel atë me dy këmbët. këto janë kamerat e “Telesport” të cilat e kanë filmuar të plotë ndeshjen Vllaznia-Teuta e madje e kanë transmetuar live. Përveç shkeljes së ligjit nga vetë bashkia në rast se televizioni i kryeqytetit nuk e ka paguar shumën prej 50 mijë lekësh të reja, një tjetër shqetësim është mungesa e respektit për televizionet e Shkodrës. Logjikisht dhe moralisht të parët që duhet të jenë brenda pallatit të sportit apo në çdo institucion tjetër në Shkodër duhet të jenë televizionet e këtij qyteti të cilët çdo herë kanë treguar gatishmërinë maksimale jo vetëm për të bashkëpunuar me bashkinë por edhe me “Sport Klub Vllaznia” duke transmetuar dhe përcjellë jo vetëm brenda qytetit por edhe në rang kombëtar e ndërkombëtar gjithçka çfarë ndodh në aktivitetet sportive duke dhënë një kontribut e hapësirë që asnjëherë bashkia apo “Sport Klub Vllaznia” nuk e gjejnë tek televizionet e kryeqytetit të cilat mjaftohen me një kronikë 30 sekondëshe një herë në 3 muaj apo me transmetimit vetëm në rastet kur kanë interesin e tyre siç ishte ndeshja finale mes Vllaznisë dhe Teutës. Në rast se një televizion si “Telesport” pas urdhërave në forma të ndryshme lejohen të filmojnë besojmë se nuk duhet treguar njëanshmëri për të tjerët sepse ligji ose zbatohet për të gjithë ose shkelet për të gjithë.

Artikulli paraprak“FRESH VOICE”, LIDERET E SË ARDHMES NË PS
Artikulli tjetërBASKET MESHKUJ, VLLAZNIA FITON FINALEN E PARË ME TEUTËN