Një ndeshje epike. E tillë ka rezultuar klasikja e basketbollit shqiptar Vllaznia-Tirana. Me një sfidë që u shty me dy herë nga 5 minuta, Vllaznia për të parën herë në këtë sezon i ka treguar dhëmbët Tiranës duke bërë që kryeqytetasit të kuptojnë se nuk janë të pathyeshëm.

Një sfidë e fortë mes dy ekipeve që mbi të gjitha dhuroi spektakël dhe emocione pa fund. Shkodranët kanë rezistuar më shumë se Tirana duke arritur që të fitojnë me vetëm 3 pikë diferencë, 96-93. Loja nis më mirë për miqtë të cilët kalojnë shpejt në epërsi duke fituar periodën e parë 21-13. Vllaznia në periodën e dytë shton pak ritmin duke arritur që të fitojë 19-18 dhe duke bërë që gjysma e parë e lojës të mbyllet 32-39.

Vllaznia e mbështetur edhe nga një tifozëri ekzaltuese ngushton sërish diferencën teksa fiton periodën e tretë 24-21 dhe rezultati i përgjithshëm shkon në 56-60. Tek kuqeblutë rikthehet besimi. Kur duhet edhe 1:30 sekonda lojë Ramme për Tiranën del me 5 gabime personale. Algert Gjonaj është ai që përmes dy gjuajtjeve të lira dërgon Vllazninë në avantazh nga 70-71 në 72-71. Tirana realizon një dypikësh dhe një gjuajtje të lirë duke çuar shifrat në 72-74. Vllaznia në aksionin e fundit tregon saktësi dhe sjell barazpeshën 74-74 teksa duheshin 3 sekonda lojë.

Ndeshja mbyllet në barazim dhe duhen 5 minutat e shtesës së parë. Për Tiranën edhe Gerti Shima del nga loja me 5 gabime personale. Sfida zhvillohet nën një rivalitet të fortë. Në sekondat e fundit të shtesës është Gjonaj që tregohet deçiziv duke shënuar edhe një goditje për 3 pikë dhe duke barazuar sërish në 84-84. Në këtë mënyrë duhet edhe shtesa e dytë për të përcaktuar fituesin. Për Tiranën edhe Karaj merr 5 gabime personale dhe del nga loja. Hysenagolli shpenzon shumë energji dhe e ka të pamundur të bëjë shpëtimtarin.

Vllaznia tregon përgatitje fizike më të mirë dhe arrin që të fitojë 12-9 shtesën e dytë dhe krejt takimin 96-93. Fitorja e Vllaznisë me Tiranën është një sinjal për bardheblutë që tregon se titullin kampion nuk e kanë aspak të sigurtë.

/ Star Plus TV /

Artikulli paraprakSARIN: LUAJTËM KEQ POR FITOI KARAKTERI I VLLAZNISË
Artikulli tjetërRAMA KONFIRMON SHKARKIMIN E MINISTRAVE, “DETAJET NË ORËN 17:00”