Vllaznia në basketboll për meshkuj do të luajë edhe sezonin e ardhshëm sportiv 2018-2019 në Superligë.

Ekipi shkodran u klasifikua në vendin e pestë në përfundim të sezonit të rregullt, duke u përballur në play out me Flamurtarin, skuadrën e renditur në vendin e dytë në Kategorinë e Parë.

Shkodranët e drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj, pas fitores 4 ditë më parë në takimin e luajtur në Shkodër (90-47), fituan edhe sot në përballjen e dytë.

Ndeshja e luajtur sot pasdite në Vlorë u fitua 89-49 nga Vllaznia, që nuk vuajti shumë për të mundur basketbollistët vlonjatë, që edhe pse luanin në fushën e tyre ishin shumë larg miqve nga Shkodra.

Skuadra e Vllaznisë, më e kompletuar e me lojtarë me përvojë, e pati të lehtë t’i fitojë të dyja takimet, duke siguruar kështu të drejtën që edhe sezonin tjetër të luajë në Superligë, ndërsa Flamurtari do të luajë sërish në Kategorinë e Parë.

 

Artikulli paraprakURA E RE E BUNËS DREJT SHKATËRRIMIT
Artikulli tjetërVLLAZNIA LË PAS TEUTËN, PËRGATITJE PËR LUFTËTARIN