Skenat e dhunës në Parlamentin e Maqedonisë kanë pushtuar titujt kryesorë të mediave ndërkombëtare ndërsa site të shumta kanë shkruar për situatën e tensionuar.

“Shpërthen dhuna në Parlamentin e Maqedonisë, pasi një deputet shqiptar zgjidhet në postin e Kryeparlamentarit” shkruan gjiganti amerikan, CNN, ndërkohë që një hyrje të ngjashme pasqyrohej edhe në artikullin e rrjetit britanik BBC. Në shkrimet e këtyre dy mediave të mirënjohura, përshkruhet situata në Maqedoni, ndërsa theksohet se nacionalistët kanë pushtuar rrugët e Shkupit, qëkurse lideri i social-demokratëve, Zoran Zaev, arriti një marrëveshje për të formuar qeverinë me partitë shqiptare. “Protestuesit futen në parlament dhe sulmojnë deputetët” është titulli i një tjetër portali prestigjoz, siç është The Guardian. Në shkrimin e detajuar theksohet se afro 200 protestues, një pjesë e të cilëve me maska, me anë të forcës thyen kordonin e formuar nga Policia. Nga ana tjetër, Uashington Post, ka publikuar pamjet filmike, nën titullin “Protestuesit rrahin ligjvënësit në Maqedoni”. Ndërkohë, agjensia reuters i ka përcjellë zhvillimet përmes fotografive që janë shkrepur nga korrespondentët në Shkup, dhe ku bie në sy, lideri i social-demokratëve me kokën e fashuar, ndërsa largohet nga Parlamenti nën masa të rrepta sigurie.

Artikulli paraprakGRUPI I PS-SË VOTON UNANIMISHT KANDIDATURËN E METËS PËR PRESIDENT
Artikulli tjetërPS E PDIU MBËSHTESIN METËN PËR PRESIDENT. BLUSHI KUNDËR