
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka pritur në një takim kryetarin e ri të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Armir Grima, së bashku me drejtues të shoqatave që janë pjesë e saj. Në fokus të diskutimeve ishte zhvillimi i futbollit në Shkodër, mbështetja për ekipet e moshave dhe krijimi i kushteve sa më të mira për stërvitjen e fëmijëve dhe të rinjve. Gjatë takimit u vu në dukje edhe rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe strukturave të futbollit për të nxitur zhvillimin e talenteve të reja. Një nga format konkrete të kësaj mbështetjeje është subvencionimi nga Bashkia Shkodër, falë të cilit ekipet e moshave zhvillojnë aktivitetin e tyre pa pagesë në kompleksin sportiv “Zmijani”.
Kjo nismë synon të lehtësojë barrën financiare për familjet dhe t’u krijojë më shumë fëmijëve mundësinë për të ushtruar sportin dhe për të ndjekur pasionin e tyre për futbollin. Gjatë këtij takimi, Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër i akordoi gjithashtu një mirënjohje kryebashkiakut Benet Beci, në shenjë vlerësimi për mbështetjen e dhënë në zhvillimin e futbollit të fëmijëve. Shkodra mbetet një nga qytetet me traditën më të pasur futbollistike në vend, ndërsa bashkëpunimi mes Bashkisë dhe strukturave sportive shihet si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e kësaj tradite dhe përgatitjen e brezave të rinj të futbollistëve.


