I/e dashur mik/e,
punonjës i bashkisë Shkodër

Së pari uroj që kjo letër t’ju gjejë mirë, ju dhe familjen tuaj.

Do doja shumë të ndaja me ju disa opinione për punën e përbashkët që na pret në bashkinë e re të pas 14 Majit.

Prej shumë vitesh, institucioni më i rëndësishëm i qytetit tonë, është i përfshirë në problematika, të cilat vijnë për një pafundësi shkaqesh, përfshi edhe ato të përplasjeve politike. Kjo situatë nuk ju vë aspak nën akuzë, ju, specialistëve që keni punuar dhe punoni me përkushtim për të mirën e këtij qyteti. Problemet janë tek mënyra e keqmenaxhimit, dhe këtë më mirë se sa unë, e dini ju vetë, që si specialistë, e vuani çdo ditë në kurriz.

Siç edhe ju tashmë e dini, unë kam ambicie që të drejtoj një bashki, për të cilën politikë e vetme, do të jetë zhvillimi i qytetit dhe fshatrave, dhe mirëqenia e shkodranëve. Ky është dhe do të mbetet prioriteti im dhe i të gjithë personave që do të punojnë në bashkinë e re të Shkodrës.

Ne, së bashku, do të punojmë fort për t’i dhënë ritëm punës tonë, dhe për të rritur frymën e bashkëpunimit. Në mënyrë që Bashkia e Shkodrës, të mos jetë një vatër e militantizmit dhe parazitizmit të asnjë lloji, por të kthehet në një laborator idesh dhe përparimi.

Në bashkinë e re të Shkodrës nuk do të ketë më kuota përfaqësimi politik, por kuota të një përfaqësimi vlerash dhe intelekti, që së bashku do të krijojnë një ansambël fitues të çdo sfide për rimëkëmbjen e qytetit tonë.

Shkodra është e madhe, aq sa është e vogël. Një qytet ku të gjithë e njohim njëri tjetrin dhe ku kemi shumë e shumë gjëra që na lidhin e na bashkojmë, e aspak gjëra që na ndajnë.

Prandaj, i/e dashur mik/e
Qyteti ka nevojë për përvojën dhe vlerën e gjithsecilit nga ju, specialistët e mirëfilltë. Ju, që me përkushtim e keni mbajtur në këmbë këtë institucion, pavarësisht strategjive të gabuara drejtuese që i kanë bërë një dëm shumë të madh Shkodrës. Por jo të pariparueshëm.

Duke të uruar një javë të qetë, uroj dhe shpresoj gjithashtu që të vijosh punën normalisht, pa u ndikuar nga presionet politike që duan të të përfshijnë kundër dëshirës tënde në një fushatë të ethshme, agresive dhe përçarëse, që po bëhet në emrin tënd. Përfshirja jote në fushatë, të transformon nga specialist në militant. Një fenomen nga i cili Shkodra është dëmtuar në tre dekada, dhe për të cilën nuk ka aspak nevojë.

Prandaj, deri më 14, të ftoj të refuzosh çdo përfshirje në një fushatë që nuk është e jotja, por e dikujt që po lufton fort vetëm për veten e tij. E nesërmja nuk do të ndryshojë aspak pozicionin tënd të punës. Thjeshtë do të ndryshojë vizionin tonë të përbashkët për Shkodrën.

Dhe të siguroj që do të jetë shumë herë më i mirë.

Me respekt,

Benet Beci