Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është zyrtarisht i pandehur për dosjen e sterilizimit. Beqaj u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikua akuza shpërdorim detyre. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, ish-ministri hodhi akuza ndaj SPAK se në 50 muaj nuk ka hetuar si duhet koncesionin e sterilizimit.

Beqaj tha se nëse hetimet do ishin bërë si duhet, do kishin dalë në konkluzionin se ku koncesion ka kursyer financat publike si edhe xhepat e qytetarëve shqiptarë. Ai mbrojti koncesionin e sterilizimit, duke thënë se 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte të sigurta, ndërsa tha se të vërtetën e tij do e ballafaqojë në Gjykatën e Posaçme.

“Prokuroria në 50 muaj nuk ia doli të hetojë dy elementë kryesorë që ka një proces sterilizimi, uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital dhe uljen e ditëve të përdorimit të antibiotikut në spital. Nëse do kishin bërë këtë vlerësim, që ne do kërkojmë të bëhet, atëherë konvertimi i këtyre kursimeve në para do e nxjerrë një proces në përfitim për financat publike dhe xhepat e qytetarëve”, tha Beqaj.

Ish-ministri tha po ashtu se SPAK duhet të kishte hetuar se përse nga periudha, prill 2010 deri në shtator 2013, nuk ishte vendosur në punë centrali i sterilizimit, kur ISHP kërkonte mbylljen e sallave të kirurgjisë në QSUT.

“Për 50 muaj prokuroria nuk mori mundimin të hetojë se përse nga prilli 2010 deri në shtator 2013, centrali i sterilizimi i blerë u mbajt në qese, ndërkohë që ISHP kërkonte mbylljen e sallave të kirurgjisë në QSUT. Që nga fillimi i kontratës 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte të sigurta. Në 50 muaj prokurorët nuk qenë në gjendje të bëjnë dy vlerësimi kryesore që bëhen për çdo PPP, vlera e parasë dhe si është materializuar ndarja e riskut mes privatit dhe publikut pas 8 vitesh zbatim konkrete. Unë të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë, ku besoj se do dalë e vërteta e përfitimeve që që kanë patur shqiptarët nga sterilizimi”, vijoi Beqaj.

SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur për dosjen e sterilizimit Beqajn dhe 8 të tjerë, këtyre të fundit iu komunikua akuza të premten e 15 marsit. SPAK pritet të dorëzojë dosjen në GJKKO me kërkesën për nisjen e gjykimit.

Beqaj do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv. ministri akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni për mashtrim.

Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. Ndërkohë që një muaj më parë u vendos sekuestro edhe ndaj dy kompanive të Rrapajt dhe disa aksione të tij në një shoqëri tjetër tregtare.

SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.

Artikulli paraprakTEMPERATURA NË RRITJE E DIELL, POR VETËM E MARTA SJELL RESHJE SHIU! PARASHIKIMI I MOTIT PËR KËTË JAVË
Artikulli tjetërSHQIPËRIA 15 VJET NË NATO, MINISTRI PELESHI: KRENARË QË JEMI NJË ALEAT I BESUESHËM