Kreu demokrat Sali Berisha u shpreh se duhet të bëhet gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre të gjithë ata demokrate dhe demokratë që e ndjejnë veten të tillë dhe duan të bashkohen me PD-në. Me një mesazh në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, e cila po zhvillohet në selinë e kësaj partie, Berisha tha se asnjë nga ne nuk duhet të shikojë vëngër apo me skepticizëm ata që duan të bashkohen me ne.

“Armiku ynë i përbashkët është Edi Rama. PD ka nevojë jo vetëm të bashkohet me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet më shumë se kurrë, me të gjithë spektrin opozitar”, tha Berisha.

Ai u shpreh se një front i gjerë dhe i bashkuar opozitar është i një rëndësie vendimtare. Berisha tha se Edi Rama është në pushtet, dhunon çdo ligj e Kushtetutë të këtij vendi, edhe për faktin se ne e lejojmë atë. Berisha tha se regjimi i Edi Ramës duhet luftuar nga të gjithë shqiptarët, duke shtuar se të tre drejtuesit e partive opozitare janë në hetim nga SPAK. Ai tha se skandalet e kësaj qeverie nuk kanë të ndalur, ndërsa shtroi pyetjen: ku jemi ne, cila është detyra jonë?

“Detyra jonë është një dhe vetëm një, krijimi i Qeverisë teknike dhe shpëtimi i vendit nga ky regjim”, tha Berisha. Sipas tij, Qeveria teknike krijohet në mënyrën më të pashmangshme se Edi Rama nuk ka më legjitimitet, ai dëshmoi në zgjedhjet e 14 majit se është i gatshëm të shkelë çdo ligj, normë, moral dhe Kushtetutë.

“Ai qëndron në pushtet për shkak të dobësisë së opozitës, ndaj ne duhet t’ia bëjmë të qartë mbështetësve tanë”, tha Berisha.

Artikulli paraprakMINISTRI IGLI HASANI: SHQIPËRIA GATI PËR KONFERENCËN E DYTË NDËRQEVERITARE
Artikulli tjetërVENDIMI NGA KRYESIA E PD, PROTESTA KOMBËTARE E OPOZITËS MBAHET MË 12 KORRIK/ DETAJET