“Pazari me kufijtë është dhunim, cungim i integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetutës të Kosovës dhe një fitore spektakolare e serbomëdhenjve Vuçiç e Daçiç.”

Kështu është shprehur në një intervistë, ish- kryeministri Sali Berisha.

Berisha thotë se “korrigjimi i kufijve”, është zhbërje e Kosovës dhe e të gjitha akteve ndërkombëtare dhe kombëtare të shtetësisë, pavarësisë dhe njohjeve të saj.

Ndërsa, për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, ish-kreu i qeverisë shqiptare, deklaron se organizator direkt i krimit të shëmtuar politik është Fatos Klosi.

10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, brenda një kornize të pranuar nga pjesa dërmuese e bashkësisë ndërkombëtare, kufijtë e Kosovës janë vënë sërish në “pazar”. Si i keni parë ju këto zhvillime?

Sali Berisha: Këto zhvillime dramatike janë një thikë pas shpine nga argatët e Beogradit në Prishtinë, për Kosovën janë shkelmim i marrëveshjeve,

akteve dhe ligjeve ndërkombëtare që qëndrojnë themel të pavarësisë së Kosovës, vetë aktit të shpalljes së kësaj pavarësie si dhe njohjeve të saj ndërkombëtare.

Ky pazar është dhunim, cungim i integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetutës të Kosovës dhe një fitore spektakolare e serbomëdhenjve Vuçiç-Daçiç.

Në një operacion të jashtëzakonshëm, Vuçiç, siç deklaroi në Mitrovicë, do të bëjë Serbinë më të madhe jo me luftë, por me argatët e tij serbomëdhenj shqipfolës në Prishtinë, të cilëve ua ka besuar që ta tundin ata flamurin e Serbisë së Madhe.

Pas vitit 1944, pushtimit të Kosovës nga ushtria partizane e Shqipërisë, votës së parlamentit të Kosovës për dorëzimin e autonomisë së Kosovës, Sllobodan Millosheviçit, ky është akti i tretë madhor i tradhtisë nga serbomedhenj shqipfolës ndaj Kosovës, të gjallëve dhe të rënëve e të vdekurve të saj.

Të nxjerrësh në treg territore dhe kufij të vendit tënd sipas skenarit të vjetër dhe të rrezikshëm të Beogradit dhe t’i servirësh ato si skenar tëndin, dëshmon se je i detyruar nga gjithçka tjetër shqiptare përveç emrit.

Me këtë rast ju bëjë thirrje deputetëve të Kosovës mos lejoni kurrë që Parlamenti i Kosovës të përsërisë aktin e vitit 1981, mos pranoni që argatët e Beogradit të tregtojnë me territorin, kushtetutën dhe të drejtat sovrane të popullit dhe vendit tuaj.

Artikulli paraprakRAMA ‘DHËMBË PËR DHËMBË’ ME BASHËN, NXJERR SHKRESËN PËR TEATRIN
Artikulli tjetërNDARJA E ÇMIMEVE NË AKADEMINË E SHKENCAVE, FLET RAMA: DRAFTI PËR REFORMIM TË KTHEHET NË LIGJ