Klubi i Vllaznisë ka reaguar pas publikimit në median e shkruar të një lajmi, ku thuhej se klubit shkodran i është bllokuar merkato. Në fakt, një gjë e tillë është kundërshtuar nga ana e tyre. Pikërisht, përmes një reagimi të bërë në faqen zyrtare, klubi shkodran sqaron se nuk ka asnjë çështje të hapur, teksa përveç mohimit të bllokimit të merkatos nga FIFA, në këtë reagim është publikuar edhe një foto e sistemit të saj që tregon se për Vllazninë nuk ka asnjë lloj bllokimi.

“Klubi i Futbollit Vllaznia është informuar sot në lidhje me disa lajme të përhapura në disa media për bllokimin e merkatos së saj. Klubi i Futbollit Vllaznia sqaron opinonin publik me përgjegjësi të plotë se nuk ka asnjë çështje të asnjë lojtari që është apo ka qenë në marrëdhënie kontraktuale, si edhe nuk ka asnjë vendim të fuqi të organeve të drejtësisë sportive që imponojnë bllokimin e merkatos së Klubit të Futbollit Vllaznia. Këtë gjë e tregon më së miri edhe fotoja bashkëngjitur që tregon sistemin e transferimit të futbollistëve, ku nuk ka asnjë penalitet për Klubin e Futbollit Vllaznia.

Duke qenë të ndërgjegjshëm se, lufta për arritjen e objektivave sportive nuk zhvillohet vetëm në fushën e blertë, garantojmë sportdashësit tonë të zjarrtë kudo ku ndodhen se me përkushtim dhe profesionalizëm, jemi të vendosur të përballemi me dinjitet ndaj çdo sfide”,-shkruhet në reagimin e Klubit të Futbollit Vllaznia.

Artikulli paraprakVININ BASTE SPORTIVE ME CELULAR, DY TË ARRESTUAR NË LAÇ
Artikulli tjetërSHKODËR, ARRESTOHET NJË SHTETAS I SHPALLUR NË KËRKIM