Harta e përmbytjeve në ditën e pestë të përmbytjeve është zgjeruar në 1220 hektar tokë duke u rritur me 20 hektarë krahasuar me një ditë më parë ndërsa ka një rritje të nivelit të ujit në liqenin e Shkodrës me 20 cm ndërsa ndodhet në kuotën 8.45 m, 25 cm nën kuotën maksimale. Në Anën e Malit janë 1200 hektar tokë të përmbytur ndërsa rruga e Obotit ka prezencë uji 65 centimetër dhe është e pakalueshme. Edhe në njësinë Dajç ndodhen 20 hektar të përmbytura. Fermeri Pjetër Jubani nga Darragjati thotë se dëmet në tokat bujqësore janë të konsiderueshme.

Fermeri tregon se deri më tani askush nuk ka ardhur për të inspektuar gjendjen ndonëse është përmbytja e tretë që po kalojnë muajt e fundit.

Sa i përket zonave malore në ditën e pestë të përmbytjeve, banorët e tre njësive të Dukagjinit janë bllokuar. Prej katër ditësh ndodhet e bllokuar rruga Bogë-Theth në Qafë Thore për shkak të orteqeve të borës ndërsa tashmë është bllokuar edhe pjesa tjetër që lidh Dukagjinin me Shkodrën nga Mali i Shoshit për shkak të borës dhe rrëshqitjeve të gurëve e dherave. Ndërhyrja në Qafë Thore për pastrimin e borës është e pamundur pasi rrezikohet jeta e punonjësve nga rrëshqitja e borës. Në Bogë të Malësisë së Madhe trashësia e borës ka arritur deri në 80 cm. Aksi Tamarë-Vermosh është i hapur por duhen goma dimërore dhe në disa segmente ku rruga është e pjerrët kërkohen zinxhirë. Në Koplik rrjeti elektrik i një banesa është dëmtuar nga rrufetë ndërsa shumë zona të qarkut Shkodër kanë probleme nga mungesa e energjisë elektrike edhe pse grupet e OSHEE janë në terren për riparimin e defekteve.

Artikulli paraprakNË KËRKIM PËR VRASJE, EKSTRADOHEN NGA GREQIA E BELGJIKA DY SHQIPTARËT
Artikulli tjetërPËRMBYTJET NË LEZHË, 530 HEKTARË TOKË NËN UJË