Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të hidrokarbureve. Nafta ka pësuar një rritje prej 9 lekësh, gazi është rritur me një lek, ndërsa benzina është ulur me 4 lekë.

Konkretisht, nafta do të shitet 248 lekë për litër, nga 239 lekë për litër që ishte më parë. Çmimi i gazit do të shkojë në 79 lekë për litër nga 78 lekë për litër që ishte. Vetëm benzina ka pësuar ulje, ku nga 205 lekë për litër që ishte, do të tregtohet me 201 lekë për litër.

“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 248 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 236 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 201 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 189 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 79 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 67 lekë/litër për automjetet”, thuhet në njoftim.

Bordi sqaron se sipas aktit normativ të miratuar nga qeverisë i referohet bursës agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në dollarë për të pasqyruar çmimet e reja. Bordi thekson se në mbledhjen e fundit, rezulton se çmimi i benzinës prej datës 22 është ulur me -33$/ton dhe Gazoili është rritur me + 75 $/ton.

Çmimet e reja do të futen në fuqi sot nga ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi sqaron opinionin publik se zbaton me kujdesin e duhur aktin normativ në fuqi, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve në këto kushte të krizës botërore dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve të nënprodukteve të naftës.

Çdo biznes i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.

Artikulli paraprakSINDIKATA: BIZNESET NUK PAGUAJNË PAGËN MINIMALE, TË REAGOJË QEVERIA
Artikulli tjetërKRYEBASHKIAKU SPAHIA INSPEKTON PUNIMET NË RRUGËN “DRAGUSHEJ”