Katër vende fqinje të rajonit kanë deklaruar se kanë bërë një tjetër hap në drejtim të forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë, pas ministeralit të Selanikut.

Ministrat e Jashtëm e të Brendshëm të Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, kanë diskutuar për rrugët dhe format e bashkëpunimit në çështje të sigurisë, luftimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit. Gjatë konferencës për shtyp në përfundim të këtij takimi, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias deklaroi se diskutimet treguan që ekziston vullneti i mirë për t’u gjetur zgjidhje edhe në problemet dypalëshe që vendet fqinje mbartin nga e kaluara. “Këto probleme i diskutojmë dhe besoj se do të kemi rezultate pozitive, jo vetëm sot, por edhe në muajt e ardhshëm”, deklaroi Kotzias. Të njëjtës problematikë iu referua edhe Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, gjatë një interviste në televizionin publik grek, ERT 3.

Bushati: Ne ende nuk kemi mbyllur pasojat e Luftës së Dytë Botërore, sa i përket si gjendjes së luftës, ashtu edhe respektit për komunitetin çam. Në fakt, kjo është edhe sfida e marrëdhënieve ndërkombëtare që shtetet ndajnë pikëpamje të ndryshme, por në fund të ditës demokracia është kompromis dhe besoj se ne jemi duke punuar për të gjetur një zgjidhje kompromisi që akomodon pikëpamjet dhe interesat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Sepse ky është një proces i vazhdueshëm.

Artikulli paraprakSHQIPTARËT BËHEN HERONJ, SHPËTOJNË FOSHNJËN NGA VDEKJA
Artikulli tjetërTVSH PËR BIZNESIN E VOGËL, RAMA: OPOZITA FRONT NË MBROJTJE TË INFORMALITETIT