Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i ka kërkuar sot zyrtarisht Presidentit të Republikës Ilir Meta, plotfuqishmërinë në lidhje me nisjen e negociatave dypalëshe të Shqipërisë dhe Greqisë, për një sërë çështjesh, mes të cilave, delimitimi i shefit kontinental dhe kufirit detar, heqja e ligjit të luftës etj.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se në kërkesë mungojnë emrat e negociatorëve. Letra mbërriti sot në presidencë dhe ajo i është dërguar për dijeni edhe kryeministrit Edi Rama. Te kërkesa e Bushatit, kërkohet që negociatat të kryhen nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Ekonomisë dhe Institutit të Gjeografisë. Në kërkesë nuk kërkohet asnjë përfaqësues nga Presidenca. Tre ditë më parë burime nga presidenca duke folur lidhur me marrëveshjen me Greqinë për detin kishin konfirmuar se deri në atë moment nuk ishte kërkuar asnjë plotfuqishmëri për marrëveshjen e detit me Greqinë.

Më 10 shkurt 2018, edhe ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani, duke ngritur alarmin për mungesën e plotfuqishmërisë në negociatat mes dy sheteve, kishte kërkuar nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, që të niste menjëherë hetimet.

Artikulli paraprakVLLAZNIA NDESHJA E RRADHËS NDAJ BESËS
Artikulli tjetërGRABITJE NË ZYRAT E POSTËS, VIDHEN 2 KASAFORTA BRENDA 4 MINUTASH