Miratimi i buxhetit për vitin 2016 edhe për sportin, sigurisht që ka qenë një lajm i mirë për klubin e futbollit Vllaznia, por edhe për Bashkinë Shkodër, sepse ky institucion konfirmon korrektesën maksimale për zbatimin e të gjitha kontratave që janë nënshkruar me futbollistë, trajnerë, por edhe palë të treta.

Megjithatë kjo nuk mjafton. Tashmë që sezoni aktual po shkon drejt fundit, duhet menduar padyshim edhe për atë që vjen pas, sepse të gjithë dëshirojnë që ai të jetë ndryshe. Për këtë arsye, në ditët në vazhdim mendohet të ketë një takim të zgjeruar në mes palëve pikërisht për këtë çështje. Administratori i klubit Astrit Gjyrezi ka lënë të kuptohet se sezoni i ri do të jetë ndryshe, megjithatë kështu është premtuar shpeshherë, por rezultatet kanë qenë ndryshe. Gjithsesi, kryebashkiakja aktuale Voltana Ademi duket shumë e interesuar për të bërë më të mirën për klubin e futbollit Vllaznia dhe këtë e ka demonstruar edhe gjatë kësaj periudhe, por në fakt nuk mjafton. Po flitet shumë për gjetjen e ndonjë sponsori dhe, nëse kjo do të realizohej, do të ishte diçka shumë e mirë. Në takimin e këtyre ditëve me siguri që do të mësohen më shumë gjëra sa i takon të ardhmes së kuqebluve për sezonin e ri. Tifozët kërkojnë rikthimin e Vllaznisë pretendente, në mos që sezonin tjetër, të paktën ekipi i futbollit të marrë pjesë në Europa League, çka do të ishte ngushëllim. Vllaznia ka 15 vjet pa marrë titullin kampion.

Artikulli paraprakNDESHJA ME LAÇIN “SPECIFIKE” PËR SHTUBINËN
Artikulli tjetër“KËNGËT E QYTETIT” NË SHKOLLËN E MUZIKËS “PRENKË JAKOVA”