Tre punonjës të Policisë së Shtetit në Shkodër janë vlerësuar me Certifikatën e Karrierës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tyre ndër vite në shërbim të rendit dhe sigurisë publike. Vlerësimi është bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ndërsa certifikatat u janë dorëzuar gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Tre inspektorët e vlerësuar janë Idriz Rekaj, me 39 vite shërbim në Policinë e Shtetit, Nikoll Pjetri, me 33 vite karrierë, si dhe Dod Lasdushaj, me 32 vite shërbim. Certifikatat u janë akorduar me motivacionin: “Për merita të veçanta dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Gjatë karrierës së tyre, tre punonjësit kanë kontribuar në përmbushjen e detyrave të strukturave të policisë, duke shërbyer me përgjegjësi në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Në përfundim të ceremonisë, ata falënderuan për vlerësimin, ndërsa u uruan kolegëve të vijojnë me sukses përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSHËRBIMI SHËNDETËSOR NË BANESA
Artikulli tjetërPAS DENONCIMIT NË STAR PLUS, SHKOLLA BËHET ME PORTË TË RE