SUPERKUPA E SPANJËS, ATLETICO FRENON REALIN.

Champions League është rikthyer mbrëmjen e së martës me 5 ndeshjet e play-off për një vend në fazën e grupeve, ku pa dyshim më e forta ishte ajo e luajtur në “San Paolo” të Napolit, mes vendasve dhe spanjollëve të Athletic Bilbao.

Pavarësisht dëshirës dhe grintës së treguar gjatë gjithë 90 minutave italianët nuk kanë arritur të sigurojnë një fitore, duke e mbyllur ndeshjen në barazim 1-1. Të parët që kaluan në avantazh ishin spanjollët e Bilbaos, të cilët arritën të shënonin një gol mjaft të rëndësishëm në minutën e 41-t të pjesës së parë.  Vendasit arritën të barazonin shifrat me sulmuesin kryesor të tyre, Hiaguain, në minutën e 68-të. Deri në fund të takimit, të besuarit e Benitez kërkuan me ngulm golin e fitore, por nuk mundën të shënonin, pavarësisht rasteve, të cilat nuk munguan. Tashmë për italianët bëhet e vështirë kalimi për në fazën e grupeve, duke pasur parasysh se kundërshtari është mjaft i rrezikshëm në fushën e tij, madje ka shënuar edhe në fushën kundërshtare. Napolit i duhet patjetër një fitore ose një barazim me gola për të vazhduar për më tej.

Në Turqi, Beshiktashi priti londinezët e Arsenalit, edhe ky çift dhuroi një 90 minutësh mjaft interesant edhe pse u mbyll në barazim 0-0. Vendasit zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, duke e mbajtur nën presion gjatë gjithë kohës kundërshtarin, por pa mundur të shënonin. Venger kishte zgjedhur të qëndronte në pritje dhe ta godiste kundërshtarin me kundërsulm, por nuk ia doli. Edhe këtu, po ashtu si në sfidën mes Napolit dhe Bilbaos, mbetet gjithçka e hapur për ndeshjen e kthimit. Kujtojmë që në 18 vitet që Venger ka drejtuar londinezët ka arritur plot 17 herë fazën e grupeve të Champions.  Hap të rëndësishëm për kalimin e kësaj faze kanë hedhur gjermanët e Leverkusen, të cilët arritën të fitonin 2-3 ndaj FC Kobenhavn, në Danimarkë. Në fushën e tyre, arritën të fitonin edhe Salzburg ndaj Malmo, 2-1 dhe Steaua e Bukureshtit 1-0 ndaj Ludogorets.

Ndeshja e parë e Superkupës së Spanjës mes Realit dhe Atletico Madrid është mbyllur në barazim 1-1.  Kolumbiani James Rodriguez bëri një debutim fantastik në “Santiago Bernabeu”, duke realizuar golin e parë të tij me fanellën e madrilenëve ndaj rivalëve të përjetshëm të Atletico-s.  Në ndryshim nga Superkupa e Europës, Ancelotti hodhi në fushën e lojës Alonso-n, ndërkohë që Rodriguez qëndroi në stol. Pjesa e parë u luajt në një ritëm të lartë dhe me raste, por u mbyll pa gola.  Ronaldo u zëvendësua menjëherë në pjesën e dytë pas problemeve fizike, në fushën e lojës u fut golashënuesi i Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, James Rodriguez, i cili shënoi në minutën e 81.  Po vetëm 2 minuta para përfundimit të ndeshjes ishte Raul Garcia, i cili e dërgoi topin në porëtn e mbrojtur nga Casillas. Ndeshja e dytë e Superkupës do të luhet ditën e premte, ku do të vendoset edhe fituesi.