3 shkresa ka dërguar “Sport Klub Vllaznia” në drejtorinë rajonale të arsimit për të përdorur gjatë orëve të pasdites palestrat e shkollave të qytetit për zhvillimin e stërvitjeve të ekipeve zinxhir. Që me 29 shtator të vitit të kaluar këshilli bashkiak i Shkodrës mori vendim që të hapen procedurat për dhënien në përdorim të palestrave të shkollave të arsimit bazë për “Sport Klub Vllaznia”.

U prit që të kishte edhe një marrëveshje mes Bashkisë Shkodër, shumësportëshit dhe vetë DAR, marrëveshje e cila nuk u nënshkrua asnjëherë. Kjo ka detyruar drejtuesit e “Sport Klub Vllaznia” që tre herë radhazi t’i drejtohen drejtorisë arsimore me shkresa të njëpasnjëshme. Shkresa e parë është me 16 tetor 2014 ku shumësportëshi i bën me dije DAR se nënshkrimi i marrëveshjes kontraktuale mes palëve është një detyrim i rëndësishëm ligjor që duhet përmbushur në shërbim të sportit. Shkresa e dytë nga “Sport Klub Vllaznia” është bërë me 28 janar të këtij viti ku drejtoria rajonale e arsimit njoftohet për palestrat që mund të përfshihen në akt-marrëveshje dhe janë 9 shkolla në total. Shkresa e tretë dhe e fundit nga shumësportëshi është me 8 shtator të këtij viti teksa kësaj here “Sport Klub Vllaznia” i drejtohet DAR duke i thënë se: “Duke parë neglizhencën tuaj pavarësisht shkresave tona shpresojmë që të jeni të vetëdijshëm për dëmin që i shkaktoni sportit në Shkodër duke moszbatuar vendimin”. Asnjëherë DAR nuk ka kthyer përgjigje dhe palestrat e shkollave vazhdojnë që të jenë të kyçyra duke mos u dhënë në përdorim për ekipet zinxhir të shumësportëshit. Natyrisht që vetëm pallati i sportit “Qazim Dervishi” është i pamjaftueshëm për stërvitjen e të gjitha ekipeve duke filluar nga moshat e deri tek të rriturit. Ata që dëmtohen më shumë janë sportistët e vegjël të cilët shpesh herë nuk kanë ku të stërviten gjë për të cilën DAR nuk ka bërë asnjë reagim.

Artikulli paraprakVLLAZNIA-PARTIZANI, ZMIJANI: DUAM REZULTAT POZITIV
Artikulli tjetërPRESIDENTJA JAHJAGA: VENDI I SHQIPËRISË DHE KOSOVËS NË BE