Gjyqtarët në gjykatat e Tiranës janë skeptikë ndaj tërheqjes së denoncimeve nga viktimat e dhunës në familje, ndaj hezitojnë të japin vendime për lirimin e tyre. Sipas avokatëve kjo ndodh për faktin se autorët janë përsëritës të kësaj vepre penale.

Në shumë raste viktimat e dhunës tërheqin denoncimet ndaj dhunuesve të tyre. Por kjo jo gjithmonë ndalon gjyqtarët të japin dënime të ashpra për këta të fundit.

Avokatët shprehen se në të shumtën e rasteve autorët janë përsëritës të kësaj vepre penale, gjë që detyron edhe gjykatësit të jenë skeptikë ndaj tyre.

Enea Cenko: Deri në një shpjegim të rrethanave, fakteve, derisa gykata të jetë e bindur, derisa të vërtetohet për takimet që ka bërë me familjarin dhe institucioni IEVP të vërtetojnë që ka ardhur familjari dhe kemi parë që marrëdhëniet janë shumë të mira dhe do të funksionojnë.

Avokati Enea Cenko thotë se në rast denoncimi tek numri 112, procedimi penal nis në gjykatë edhe pse denoncuesit tërhiqen për shkaqe të ndryshme.

Enea Cenko: Që në momentin që telefonojmë numrin 112 sipas praktikave që unë kam, kallëzimi nuk është i vlefshëm për tu tërhequr, por ai vazhdon, vazhdon kryesisht siç quhet ndryshe. Oficerët e policisë gjyqësore konsultohen me prokurorët e gatshëm dhe në të tilla raste asnjë denoncim nuk hiqet.

Vitin e shkuar dhuna në familje u rrit me 200 raste, ndërsa në polici u kryen 4629 denoncime. Nga këto denoncime 1793 prej tyre kanë tërhequr paditë.

Gjithashtu vitin e shkuar u kryen 14 vrasje në familje, me 17 viktima, nga të cilat 12 gra, ndërsa u arrestuan 535 persona.

Artikulli paraprakKAPEN DY PERSONA PËR TRAFIK KLANDESTINËSH
Artikulli tjetërSHËNDETI – 26.02.2020