Partia Demokratike me anë të një reagimi ka hedhur akuza ndaj Prokurorisë duke thënë se nuk po zbaton ligjin dhe po zvarrit çështjet për kandidatët dhe kryetarët e bashkive që PD ka denoncuar si të përfshirë në ngjarje kriminale.

Sipas PD duke nisur që nga 1 gushti, kjo parti pretendon se ka paraqitur prova se kandidatët e Edi Ramës në bashkitë Shkodër, Valdrin Pjetri, Vorë, Agim Kajmaku dhe më bashkinë Vau i Dejës, Mark Babani kanë te kaluar kriminale dhe si të tillë duhet të largohen dhe të ndiqen penalisht për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

PD, e konsideron mosveprimin prej më shumë se 2 muaj të prokurorisë si përpjekje për të mbrojtur njerëzit e inkriminuar të Edi Ramës në bashki.

Ndër të tjera në reagimin e PD thuhet se mbrojtja e këtyr personave nga Prokuroria del në pah nga një lëtër e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, për Prokurorinë e Përgjithshme, e cila i çohet për dijeni edhe KLP-së që vlerëson punën e Prokurorit të Përgjithshëm , ambasadës së SHBA, BE, OSBE dhe Këshillit të Europës. Sipas ligjit, deklarimet e rreme në formularin e dekriminalizimit dënohen me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet.

PD ka kërkuar në 5 Shtator që t’i vihet në dispozicion i gjithë dokumentacioni që tregon veprimet e prokurorisë për të bërë verifikimin e 3 denoncimeve të bëra nga PD.

“Organi i prokurorisë në shkelje flagrante të ligjit, edhe pse afati është tejkaluar disa herë, ende nuk ka vënë në dispozicion të kërkuesit dokumentacionin e kërkuar, duke na pamundësuar ushtrimin e të drejtave tona ligjore dhe duke mos bërë transparencë për opinionin publik mbi këto raste. “ – thuhet në kërkesën e re për informacion që Sekretari i Përgjithshëm i PD i dërgon Prokurorisë së Përgjithshme.

“Kjo sjellje e organit të prokurorisë ngre dyshime të arsyeshme mbi tentativën shtetërore për marrjen në mbrojtje të personave të inkriminuar që kanë arritur, me mbështetjen e partisë në pushtet, të uzurpojnë funksionet publike, në kundërshtim flagrant me ligjin e dekriminalizimit.”- theksohet në kërkesën e PD.

Duke kërkuar edhe një herë zyrtarisht informacion për procedurat e ndjekura nga prokuroria për të treja rastet, PD u bën thirrje prokurorëve të ngarkuar me këtë çështje, të mos i nënshtrohen presionit politik të Edi Ramës dhe Arta Markut.

“Kapja e qeverisjes nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale, në pushtetin vendor, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, si dhe për vetë sigurinë kombëtare, interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve. Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për nisjen e bisedimeve të antarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian.”- thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

Për Valdrin Pjetrin e Shkodrës PD publikoi dokumenta se ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga Italia për trafik droge. Për Agim Kajmakun e Vorws se ishte në kërkim nga Greqia për veprën e rëndë të përdorimit të parave të falsifikuara. Për Mark Babanin e Vaut të Dejës se kishte bërë burg dhe ishte dëbuar për vjedhje makinash më Itali.

Artikulli paraprakDOKTORI SHPËRTHEU ME FJALOR BANAL, SHKARKOHET NGA DETYRA BURRI I ZV. MINISTRES SË BRENDSHME, REAGON MANASTIRLIU: S’MUND TË JETË PJESË E SISTEMIT TONË
Artikulli tjetërMETA TREGON MESAZHIN QË I PËRCOLLI PERANDORIT TË JAPONISË