Partia Socialiste vijon të mos ketë një qëndrim politik për dy deputetët e saj të ‘mbështetur’ nga Aqif Rakipi, ish-deputeti i sanksionuar tre ditë më parë nga Departamenti amerikan i Thesarit. Por kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla paralajmëroi se PS do të dalë me qëndrim politik të martën e ardhshme.

“Do të kemi një mbledhje grupi të martën, duroni deri atëherë për një qëndrim politik,” tha Balla të enjten për BIRN.

Ai mohoi gjithashtu se Partia Socialiste po përdor dy standarde lidhur me sanksionet amerikane, pas furtunës politike që shkaktoi shpallja “non grata” e ish- kryeministrit Sali Berisha në kampin kundërshtar.

“Do të ketë vetëm një standard në qëndrimet e PS-së,” shtoi ai.

Departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksione financiare për Rakipin të hënën, duke e përshkruar atë si një “ish-deputet famëkeq nga Elbasani me ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”. Sipas vendimit, Rakipi ka qenë prej kohësh ‘pjesë e krimit të organizuar dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë”.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të prillit 2021, i biri, Ornaldo Rakipi dhe dhëndri i vëllait të tij, Saimir Hasalla u zgjodhën deputetë me mbështetjen publike të Rakipit, duke mbledhur së bashku mbi 27 mijë vota për Partinë Socialiste.

Përfaqësuesit e lartë të Partisë Socialiste duket gjithashtu se po presin mbledhjen e grupit parlamentar për të përqafuar një qëndrim për këtë çështje.

“Na është thënë mos komentoni deri në mbledhjen e grupit,” tha deputeti Erjon Braçe, ndërsa shtoi: “po e presim këtë mbledhje për të diskutuar, pasi këtu duket se ka çeduar sistemi”.

Ministrat Blendi Çuçi dhe Ulsi Manja i thanë BIRN se PS-ja nuk i komenton qëndrimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy thanë se po presin qëndrimin e përbashkët të grupit se si do të trajtojnë çështjen “Rakipi” dhe raportin me dy deputetët që kanë fituar mandatin me mbështetjen e tij.

Deputeti Eduart Shalsi mohoi që PS-ja të ishte pa një qëndrim për këtë çështje. “Ka Partia qëndrim, atë qëndrim që kemi mbajtur dhe herë të tjera për këto raste,” tha Shalsi.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk komentoi pyetjet e BIRN nëse do të kërkonin reagim nga Partia Socialiste për rastin “Rakipi”, ngjashëm me rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ambasada amerikane i referoi BIRN qëndrimet e zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit dhe atij të Thesarit, ku shprehej angazhimi i administratës Biden për ta adresuar korrupsionin ‘kudo që ai gjendet”.

Artikulli paraprakME ABSTENIME DHE VOTA KUNDËR, KUVENDI MIRATON PR/LIGJET NË RENDIN E DITËS
Artikulli tjetërSTAR TREND – REALIZOJMË SË BASHKU ME LUMTURIE BRAHAJ PUNIME ME RESINË