Ndërkohë që Bashkimi Europian po i kërkon me ngulm Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiç të ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë si shkak i luftës së nisur kundër Ukrainës, ambasadori amerikan në Beograd ka deklaruar se Perëndimi duhet të tregohet më mirëkuptues dhe të kuptojë situatat komplekse dhe rrethanat specifike që lidhen me rastin.

Christopher Hill u shpreh për TV Happy në Serbi se këto rrethana për Serbinë kanë të bëjnë kryesisht me varësinë e saj nga burimet ruse të energjisë dhe se është një tablo komplekse e se nuk mund të kërkohet a thjeshtë vendosja e sanksioneve. I pyetur për zgjidhjen e problemit të Kosovës, Hill tha se në mos këtë shekull, në shekullin tjetër, një ditë serbët do të zgjohen e do të shohin se shqiptarët e kanë marrë tashmë Kosovën. Ai tha se shpreson që normalizimi i marrëdhënieve të vijë sa më shpejt, në mënyrë që të merren vendime që përmirësojnë jetën e qytetarëve të thjeshtë. Në pyetjen nëse rasti i Kosovës mund të krahasohet me rastin e territoreve ukrainase që iu aneksuan Rusisë, Hill tha se nuk ka ngjashmëri, sepse Ukraina është në një pozicion tjetër.

“Fqinji i Ukrainës, Rusia, po sulmon Ukrainën dhe civilët e saj dhe ndërkohë po anekson territoret e saj. Nuk kemi parë gjëra të tilla që nga fillimi i shekullit të 20-të”, ka theksuar Hill dhe ka vlerësuar se kjo është një situatë ndryshe nga ajo e Kosovës që ka ndodhur 23 vjet më parë.

Artikulli paraprakDEL AGJENDA E KUPËS SË SHQIPËRISË, JA KUR DO TË LUHEN NDESHJET E KTHIMIT TË TURIT TË PARË
Artikulli tjetërBISEDIMET ME GRUPIN E ALIBEAJT/ “NUK KA KUSHTE!”, BERISHA: S’TËRHIQEM NGA PRIMARET