Dogana e Muriqanit mbetet e preferuara për një pjesë të komunitetit rom.

Në pamundësi për të gjetur mënyra të tjera me dhjetra vetë, pjesë e komunitetit rom dynden në doganën e Muriqanit. Natyrisht që nuk është një problem i dalë sëfundmi por që vazhdon në këtë situatë prej shumë vitesh. Çdo ditë romët i gjen në afërsi të doganës së Muriqanit duke kërkuar lëmoshë për të mbijetuar. Edhe pse forca të policisë por edhe institucione të tjera ndodhen aty, sërish këta persona duke mos patur një zgjidhje tjetër i drejtohen doganës së Muriqanit teksa objektiv i tyre janë shoferët e shumtë që kalojnë aty drejt Malit të Zi apo ata që vijnë nga shteti fqinj drejt Shkodrës. Kështu duke qenë në një gjendje të vështirë gjithë ditën e kalojnë duke lypur qindarka. Të shumtë janë ata shoferë e qytetar që jo vetëm se janë indiferent por edhe bezdisen nga prania e tyre ndërsa nuk përjashtohen ata të cilët në shenjë solidariteti japin ndonjë qindarkë. Bëhet më e vështirë kur janë një numër i madh romësh të cilët nganjëherë të duket sikur janë në një luftë të brendshme për të fituar sado pak. Gjithë ditën thuajse e kalojnë aty, pa pyetur për temperaturat e larta. Një pjesë, kryesisht gratë janë bashkë me fëmijë të vegjël ndërsa ka edhe të sëmurë apo të moshuar që sfidojnë gjithçka për të kapur sado pak para. Natyrisht që e gjitha kjo vjen nga gjendja aspak e mirë ekonomike e komunitetit rom. Të paintegruar si dhe pa të ardhura në familjet e tyre ndodhen në situatë të vështirë ekonomike. Ndërsa romët ndodhen në doganën e Muriqanit shpesh herë zhvillohen tryeza, trajnime e takime, bëhen edhe shkresa e jepet edhe ndonjë fond për romët por gjendja reale e tyre nuk ndryshon.

Artikulli paraprak28 KORRIKU, DITA BOTËRORE KUNDËR HEPATITIT
Artikulli tjetërVLLAZNIA-DEÇIÇ 0-0, ZV/TRAJNERI MAXHAR: PO LUAJMË KATASTROFË