Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka paraprirë shoqërimit me forcë duke u paraqitur vetë në Prokurorinë e kryeqytetit paraditen e sotme në orën 10:15 minuta. Liderit të opozitës iu komunikua zyrtarisht akuza si i pandehur për dosjen e lobimit rus në SHBA në fushatën e zgjedhjeve të 2017. Pas qëndrimit për rreth 45 miunta në prokurori, Basha deklaroi në një prononcim për mediat se akuza është politike, pasi nuk ka asnjë provë kundër tij.

“Për skandalet që kanë plasur dhe ato që janë njoftuar nesër. Tani prokuroria nuk ka asnjë fakt, asnjë provë ndryshe, apo shtesë që prej 25 marsit kur isha këtu. Kjo për arsye se kjo akuzë është montuar në zyrën e Edi Ramës.

U njoha me akuzën që nuk është akuzë, pasi nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë, nuk ka asnjë rus të vetëm. Pra është një akuzë për të shpërqendruar nga skandalet që do të plasin nesër nga BILD për të parë ku e ka katandisur vendin Rama. Dosjen u thashë ma vendosin në dispozicion, por nuk e kishin gati.

Kam pesë herë që vij këtu. Sa herë që plasin skandalet e kësaj qeverie të lidhur me krimin këta riaktivizojnë dosjen për llogari të Edi Ramës. Atë ditë (të hënën) nuk paraqita se nuk kishin zbatuar ligjin ndërsa sot u paraqita se kishin një plan për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet” tha ai.

Por a ka frikë Lulzim Basha? “Këtu ku jemi ka plot njerëz të frikësuar, por unë nuk jam njeri prej tyre” u përgjigj lideri i PD-së.

Ditën e hënë Basha refuzoi fletë thirrjen për të shkuar në organin e akuzës, pasi më parë kërkoi që të njihej me provat, ndërsa prokuroria i la afat deri në 20 qershor, në të kundërt do të shoqërohej me forcë. Por Basha vendosi që të ngjiste vetë sot paradite shkallët e prokurorisë së Tiranës.

Lulzim Basha së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani që u paraqit dje në prokurori, por edhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosive nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Prokurorisë së Tiranës i janë dashur 20 muaj hetime për të dalë në konkluzionin se Lulzim Basha, kryetar i PD dhe dy funksionarët e lartë të kësaj partie duhen të merren të pandehur për financimin e dyshimtë të përdorur për lobimin në SHBA. Sipas burimeve të Shqiparja.com, Prokuroria e Tiranës është ndihmuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe FBI duke e furnizuar me të dhëna dhe informacione.

Konkretisht, Basha, Ristani dhe Dervishi akuzohen për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash)” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, akuza këto që rrezikojnë t’i dënojnë deri ne 10 vite burg.

Pak muaj më parë, prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”. Por kush është kjo shoqëri? “Biniatta Trade LP” rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.

“Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: “Asverro Corp” dhe “Liminez Commerce”. Pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP” janë Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, që të dyja shtetase ruse

Artikulli paraprakSULMI NDAJ KZAZ-VE, RAMA: TURP, FATKEQËSI!
Artikulli tjetërDASHO ALIKO DEBAT NË GJIROKASTËR, IRRITOHET PD-LSI: POLICIA NUK NJEH PRESIDENTIN, KY ËSHTË PUÇ