“Nëse reforma në drejtësi do të ishte miratuar pa konsensus, do të ishte hapur një sherr i paparë për 20 vjet në vendin tonë”, kështu deklaroi kryetari i LSI, njëherësh kryetar i Kuvendit Ilir Meta.

 

Gjatë një takimi me strukturat e LSI në Durrës, kryeparlamentari vlerësoi LSI si një forcë politike që është faktor për stabilitetin e vendit.

 

Meta: “Është një përkrahje dhe simpati që në radhë të parë mendoj se vjen nga mesazhi pozitiv i LSI si faktor stabiliteti. LSI ka treguar se është faktor për stabilitetin e vendit. Së dyti, LSI si mesazh pozitiv në bërjen e politikës që kërkon përmes bashkëpunimit, përmes dialogut, përmes arsyes, logjikës, qëllimeve të mira, ta çojë politikën përpara dhe ta vërë në shërbim të njerëzve. Nuk është një forcë konfliktuale, e lodhshme, stresuese e kështu me radhë. Angazhimi ynë për konsensus për reformën në drejtësi është historik. Sepse po të ishte bërë pa konsensus do të ishte hapur një sherr i paparë për 20 vjet në vendin tonë. Angazhimi ynë edhe për shumë çështje të tjera të rëndësishme ka qenë tregues i përgjegjshmërisë sonë.”

Meta tha se në 2017 LSI do të jetë një garanci që vendi të mos përjetojë konflikte të panevojshme, por njëkohësisht edhe reforma të nxituara, të cilat në vend që të zgjidhin problemet e vjetra, shpesh krijojnë edhe probleme të reja dhe të panevojshme

 

Meta:” Forca e LSI-së mendoj se është tek mesazhi i saj pozitiv, është tek politika e saj me vendin tonë, është tek respekti për njerëzit. Kjo është shumë e rëndësishme që ne jemi gjithnjë korrekt me ta dhe mbi të gjitha është tek rinia, tek pjesëmarrja e gjerë e saj. Ne jemi të përmbajtur dhe shumë të përgjegjshëm edhe në politikë. Sepse është e thjeshtë ta humbasësh qetësinë, të bësh një veprim të nxituar, por pastaj të duhet kohë për ta korrigjuar.”

 Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj.

Artikulli paraprakREFORMA NË ARSIMIN E LARTË, RAMA: KTHESË HISTORIKE EDHE PËR GJIMNAZIN
Artikulli tjetërNDËRRON JETË SHKRIMTARI TEODOR LAÇO