Beteja për drejtimin e grupit parlamentar të demokratëve zbriti edhe këtë të enjte në sallën e kuvendit, ku kësaj rradhe protagonistë u bënë Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi. Shkak i përplasjeve verbale mes tyre u bë përfshirja në rend të ditës e kërkesës së bërë nga kreu i grupit të demokratëve Gazment Bardhi për rishikimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla: Kërkesa është e ezauruar.

Lulzim Basha: Nuk ka vendime të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Janë interpretimet tuaja të njëanshme. E doni opozitën pa grup të formalizuar. Doni ta bëni gjithë Shqipërinë, Kukës.

Reagimi i Bashës habiti edhe socialistët të cilët nuk e kaluan pa ironi revoltën e tij, ndërsa kryetarja e Kuvendit i kujtoi se përgjigjen do i’a japë pasi të shprehen organet juridike të parlamentit.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla: Do t’i drejtohem po qe nevoja edhe Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet për të bërë interpretimin e kësaj situate të paprecedentë.

Ministrja Elisa Spiropali: Memecit i erdhi goja. Z.Lulzim i erdhi goja në Kuvend.

Dhe për hallin e shtëpisë së tij, siç e ironizuan socialistët, lum akuzash lëshoi ndaj Gazment Bardhit, të cilin dikur e kishte krahun e tij të djathtë.

Lulzim Basha: Në qoftë se keni vendosur në kulisat tuaja të errëta, të aleancave të kullave dhe të non gratave, ki guxim e dil e thuaji shqiptarëve që je pjesë e asaj aleance.

Në kundërpërgjigje, Bardhi i kujtoi se kush qëndron në të vërtetë pas kullave në Tiranë.

Gazment Bardhi: U emocionova shumë veçanërisht nga kjo aleanca e kullave. Parafolësi është i vetmi që muajin e fundit ka marrë nja dy kate në një kullë në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. Numëro njëherë katet e kullave, tënden dhe të familjarëve të tu.

Dhe nga akuzat për kulla, debatet i transferuan në punët e brendshme të shtëpisë së tyre politike.

Lulzim Basha: Shpifësit gojëçorap pisët që janë çuar dhe çohen këtu që natën firmosin për kulla dhe ditën sulmojnë Partinë Demokratike për llogari të Edi Ramës, ta dinë, jo vetëm s’na e mbyllin dot gojën me shpifjet tuaja 64-katëshe, por shumë shpejt do të përballeni me projekt-ligjin e rishikuar për vettingun politik.

Gazment Bardhi: Ti je i vetmi njeri në këtë sallë që je vetëshpallur kryetar partie dhe nuk guxon të mbledhësh grupin parlamentar të partisë që mendon se përfaqëson. Dhe e di pse? Se je ti dhe 3 të tjerë që të shkojnë nga mbrapa.

Por përlasjet mes Bashës e Bardhit nuk ishin të vetmet që shoqëruan punimet e kuvendit, ku krahas bllokimit të foltores nga opozita në sallë u shënua edhe një incident nga demokrati Flamur Noka. Këtij të fundit, kryeparlamentarja Nikolla i tërhoqi vërejtje për shkak se qëlloi me rregulloren e Kuvendit një kameraman gjatë seancës plenare.

Artikulli paraprakBORELL NGA SPANJA: DO TË BISEDOJ ME OSMANIN E VUÇIÇIN GJATË KËTIJ SAMITI
Artikulli tjetërLUFTA NË UKRAINË, 50 TË VDEKUR NGA BOMBARDIMET RUSE NË KHARKIV