Bashkia e Shkodrës vazhdon nismën e të dielës së parë të muajit pa makina që ka ndërmarrë ministria e Turizmit dhe e Mjedisit. Kjo gjë ka bërë që në akset e tjera ku lejohej qarkullimi të krijohet kaos për shkak të trafikut të rënduar. Shumë prej qytetarëve ishin të painformuar për ditën pa makina dhe kërkonin të kalonin në akset që ishin të bllokuara por nuk u lejuan nga policia duke gjetur rrugë të tjera alternative.

Bashkia Shkodër së bashku me Policinë e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për të bllokuar qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve të qytetit. Rrugët në Shkodër janë bllokuar nga ora 9:00 deri në 12:00 ku patrullat e policisë nuk kanë lejuar qarkullimin e automjeteve. Segmentet e bllokuara ishin duke nisur nga bulevardi “Mehmet Pashë Plaku, Rruga “Edit’h Durham”, Rruga “Marin Becikemi”. Bulevardi “Zogu i Parë”, Rruga “Studenti”, Rruga “Qemal Dracini”. Bulevardi “Bujar Bishanaku”, Rruga “Teuta” , Bulevardi “Skënderbeu” deri tek kryqëzimi i ish Degës (pa përfshirë kryqëzimin). Qendra Historike e Qytetit të Shkodrës që përfshinë Rrugën e “Gjuhadolit”, Rrugën” 13 Dhjetori” dhe Rrugën “28 Nëntori”.

Pas orës 12:00 qarkullimi iu kthye normalitetit dhe akset e bllokuara u liruan duke nisur lëvizjen e mjeteve. Nisma e ministrisë së Turizmit dhe e Mjedisit ka nisur që prej fillimit të muajit prillë dhe erdhi si një nevojë për të mbrojtur mjedisin duke reduktuar lëvizjen me makinë në ditët kur janë pushim.

Artikulli paraprakSHKODËR, VODHËN NJË SHUMË PARASH NË NJË BANESË ARRESTOHEN DY SHTETAS
Artikulli tjetërSHKODËR, MYFTIU SYTARI NË IFTAR: ISLAMI TRANSMETON VLERA