Shqipëria mposhtet nga modestët e Luksemburgut me rezultatin 2-1 në miqësore.

Një humbje e turpshme kjo për kuqezinjtë ndaj një ekipi si Luksemburgu. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, kombëtarja shqiptare nuk arriti që të fitojë në testin final para sfidës përballë Izraelit për kualifikueset e Kampionatit Botëror. Ndeshja në Luksemburg nisi e mirë për ekipin e De Biasit duke krijuar disa raste për shënim, por pjesa e parë u mbyll në barazim.

Në të dytën, Shqipëria kaloi në avantazh me Roshin duke krijuar përshtypjen se rruga u hap ndoshta për një goleadë, po ndodhi e kundërta. Fillimisht Luksemburgu barazoi me Turpel në minutën e 63, ndërsa Malget 74′ përmbysi gjithçka duke çuar në 2-1 rezultatin për vendasit.

Humbja në Luksemburg ishte e pesta radhazi për Shqipërinë, pas atyre me Spanjën, Izraelin, Italinë dhe Bosnjën duke treguar se tek kuqezinjtë ka diçka që nuk shkon. Në datë 11 qershor Shqipëria udhëton për në Tel Aviv për t’u përballur me Izraelin, ndërsa kujtojmë që ndeshjen e parë në Elbasan e humbi.

Por edhe nëse hakmerret ndaj Izraelit shanset për në Botëror janë shuar me kohë për këto kualifikuese. Në stadium ishin edhe grupimi i tifozëve “Illyrian Elite”. Pavarësisht se FSHF pretendon se ka ndërprerë çdo lloj marrëdhënie me këtë grupim që pas ndeshjes ndaj Italisë ata kanë postuar foto në faqen e tyre në Facebook nga Luksemburgu dhe nga stadiumi duke ndjekur ndeshjen, ndërsa e kanë cilësuar FSHF si mafia.

Artikulli paraprakVLAHUTIN NË ZONËN E THETHIT, PREMTON INVESTIME
Artikulli tjetërBANESAT BAHÇALLEK, PROJEKT PËR MBROJTJEN