Skuadrat e akademisë Vllaznia vazhdojnë marshimin e tyre në këtë fillim kampionati duke arritur sërish dy fitore edhe në javën e katërt.

Pavarësisht se ndeshjet luheshin në transfertë ndaj Internacional ekipet e akademisë kuqeblu kanë arritur që të marrin 3 pikët duke shfaqur tashmë objektivat e tyre. Kështu U-17 ka arritur që të fitojë 3-1 ndaj skuadrës së Internacional. Ai që po bie në sy është Qardaku për shkodranët, lojtari që arriti të shënojë dy gola në këtë ndeshje dhe të jetë vendimtar për ekipin e tij. Goli i tretë për Vllazninë është shënuar nga Hoxha. 17 vjeçarët e Internacional kanë realizuar vetëm një gol duke e humbur 1-3 këtë sfidë. Pas javës së katërt, Vllaznia mban vendin e parë në renditje me 10 pikë, me 3 fitore dhe një barazim duke u ndjekur nga Tirana me 9 pikë dhe më pas Shkëndija, Partizani, Brians dhe Porto me nga 7 pikë secila. 5-1 është golavarazhi i U-17. Nga ana tjetër 19-vjeçarëve u ka mjaftuar vetëm një gol për të siguruar fitoren dhe për t’u kthyer në Shkodër me 3 pikët e plota. Ka qenë një ndeshje e rivalizuar ku vendasit e Internacional kanë vënë disa herë në vështirësi por pa arritur që të shënojnë. Vllaznia nga ana e saj e ka administruar më mirë këtëm përballje duke qenë ekipi dominues dhe duke merituar edhe fitoren. Goli i vetëm u realizua nga Pusi duke bërë që kuqeblutë e rinj të marrin fitoren e katërt radhazi në katër javë të luajtura. Kështu 19-vjeçarët mbajnë vendin e parë me 12 pikë po aq sa ka edhe Shkëndija. Në vendin e tretë është Tirana me 8 pikë. Duket se rivaliteti mes Vllaznisë dhe Shkëndisë do të jetë deri në fund. Javën e ardhshme në Shkodër do të jenë dy supersfida sepse akademia Vllaznia pret në shtëpi pikërisht ekipet e Shkëndisë nga ku natyrisht që objektiv është fitorja.

Artikulli paraprakJUSTINA ALIJA: EMIGROVA SEPSE HUMBI SHPRESA
Artikulli tjetërKARDINAL ERNEST TROSHANI NË FESTËN E ZOJËS