Prej katër ditësh kjo pllakatë e vendosur në qendër të Shkodrës 8 vite më parë në përkujtim të 14 janarit 1990 është hequr nga disa keqbërës ende të paidentifikuar. 14 janari i 1990-ës është dita kur shkodranët dolën në shesh për të rrëzuar bustin e Stalinit si një revoltë kundër diktaturës.

Edhe pse busti nuk u rrëzua u arrestuan mbi 600 persona nga regjimi monist dhe shumë prej tyre u masakruan në hetuesinë e kohës. Në përkujtim të asaj ngjarje historike si revolta e parë për rrëzimin e komunizmit, pllakata u vendos në qendër të qytetit të Shkodrës në vitin 2014 pas miratimit në Këshillin Bashkiak. Një prej organizatorëve të demonstratës së 14 janarit, Tonin Dema e cilëson absurde heqjen e pllakatës e cila sipas tij u la me gjak nga shkodranët.

Dema ata që kanë hequr pllakatën i cilëson si Enveristët e kohëve të sotme, persona që ende edhe pas 32 vitesh përkrahin diktatorin e krimeve çnjerëzore Enver Hoxha.

Organizatori I 14 janarit thotë se pllakata do të rivendoset sërish në vendin e saj ndërsa i bën thirrje policisë së shtetit që të gjejë autorët që hoqën pllakatën.

Ngjarja e 14 janarit 1990 njihet si revolta e parë e heshtur kundër regjimit monist. Idea për rrëzimin e bustit të Stalinit nuk u realizua sepse i gjithë sheshi u mbush me policinë e kohës dhe snajperat rrethuan zonën. Pavarësisht kësaj qindra qytetarë demonstruan në heshtje dhe shumë prej tyre përfunduan duke u dhunuar në burgjet e diktaturës.

 

Artikulli paraprakVIZITA E PARË NË KOSOVË SI PRESIDENT, LDK: BAJRAM BEGAJ REFUZOI TË NA TAKONTE NË SELI
Artikulli tjetërSHKODRA NËN PUSHTETIN E MBETURINAVE