Kombëtarja shqiptare e futbollit luan nesër më 17 qershor në “Air Albania” me Moldavinë për grupin E të Euro 2024. Sfida merr jetë në 20:45, me kuqezinjtë që kërkojnë tri pikët për të shkuar më pas pas tri ditësh (20 qershor) në transfertë me Ishujt Faroe me moralin e lartë. Me zero pikë dhe një ndeshje më pak se kundërshtarët në grup, tanët e nisën keq me humbjen 1-0 kundër Polonisë. Përpara ndeshjes për mediet folën kapiteni Elseid Hysaj dhe trajneri Sylvinho. Kapiteni shkodran kërkon përqëndrim në fushë dhe zbatim të kërkesave të trajnerit për tri pikë. Mbrojtësi i djathtë thotë se tanimë e kuptojnë më shumë trajnerin edhe në anën mbrojtëse.

“Moldavia ka një skuadër të mirë, ata kanë treguar se kanë kualitet. Nuk duhet të nxitohemi, ndeshja zgjat 90 minuta. Të jemi të qetë në fushë, të bëjmë gjërat që kemi përgatitur. Roli? E di që jam më mirë djathtas, e kam më të thjeshtë të luaj me këmbën e djathtë. Më ka ecur mirë edhe majtas, mund ta bëj, pasi ashtu do trajneri. Por ndihem më mirë djathtas”, tha mes të tjerash Hysaj.

Pas Hysajt, trajneri Sylvinho tha se moldavët kanë një skuadër fizike dhe të fortë. Fjalë të mira nga braziliani edhe për Sadikun dhe Muçin.

“Kemi shtatë finale para. Jemi të karikuar siç thamë. Nesër stadiumi do jetë me ne dhe do jetë një ndihmë e madhe. Nesër ekipi duhet të luajë dhe të jetë e ekuilibruar, të sulmojmë, të mbrojmë, të luftojmë dhe të propozojmë lojën tonë. Sadiku është i rëndësishëm dhe me eksperiencë për ne. Është lojtar që punon shumë në zonë. Duam ndihmën e tij edhe ai është i mirë për të shënuar. Unë fola me të dhe ai nëse merr disa minuta, nuk ka rëndësi ka, mund të na ndihmojë. Është simbol i këtij ekipi dhe e shqetëson rivalin. Kemi dy ndeshje për të zhvilluar”, tha trajneri.

Artikulli paraprakDHUNA E GAZETARËVE NË VERI TË KOSOVËS, META: DËNOJ SULMIN BRUTAL NGA BANDITËT E MASKUAR
Artikulli tjetërPELESHI NË MINISTERIALIN E MBROJTJES NË BRUKSEL: TË LIROHEN TRE PUNONJËSIT E RRËMBYER TË POLICISË SË KOSOVËS