Policia e Tiranës ka arrestuar atë e bir të akuzuar për prodhim të kundërligjshëm të artikujve ushqimor dhe falsifikim të vulave e stampave.

Në kuadër të operacionit “Kimisti” u arrestuan në flagrancë Fabian Gero, 55 vjeç dhe i biri i tij, Arnold Gero, 21 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata kishin modifikuar ambientet e një bodrumi për prodhimin e artikujve të ndryshme ushqimore, duke përdorur amballazhime të përdorura si dhe duke falsifikuar etiketa të firmave të ndryshme të prodhimeve vendase. Si rezultat i këtij operacioni, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet tip Volkswagen, mijëra shishe plastike dhe qelqi, vaj ulliri i hapur, arome vaj ulliri 40 kg, lëndë të ndryshme kimike, etiketa të ndryshme dhe pajisje që shërbenin për prodhime të ndryshme. Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale të “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT, RESHJE SHIU DHE…
Artikulli tjetërUSHTRIA E KOSOVËS NUK BËHET PA VOTAT E PAKICAVE