FMN: Ekonomia shqiptare po forcohet, por kujdes TVSH-në

Misioni i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili sapo ka përfunduar vizitën e tij në Tiranë, ka publikuar sot një deklaratë, ku bën me dije vlerësime kryesisht pozitive për ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë, stabilitetin politik të krijuar në vend pas zgjedhjeve, si dhe për aplikimin e reformave madhore në fusha të rëndësishme të jetës së vendit. Në raportin e sapopublikuar, thuhet se ekonomia e Shqipërisë vijon të forcohet, duke përfituar nga rritja e kërkesës së brendshme, investimet direkte të huaja në shkallë të gjerë në fushën e energjetikës, turizmi në rritje si dhe nga rimëkëmbja e partnerëve të saj kryesorë, vende të BE-së. Duke zbatuar një program të mbështetur financiarisht nga FMN, që ka përfunduar kohët e fundit, autoritetet kanë ulur rreziqet fiskale dhe financiare, por duhen shumë përpjekje të tjera për të konsoliduar këto arritje. Ritmi i reformave është ngadalësuar në kushtet e zgjedhjeve dhe të një tranzicioni të zgjatur qeveritar. Ekonomia në rritje dhe mandati i qartë qeveritar ofrojnë një mundësi unikale për qeverinë e re të dyfishojë përpjekjet në drejtim të reformave. Ecja përpara në drejtim të axhendës së reformave është jetike për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, për të ulur riskun fiskal dhe për të rritur mundësitë e rritjes. Megjithatë, sipas FMN, pritet që konsolidimi fiskal të ngadalësohet në vitin në vazhdim. TVSH-ja nuk po mblidhet në sasinë e planifikuar, si pasojë e importeve të energjisë elektrike, rimbursimeve të prapambetura që janë të shumta, si dhe për shkak të shpenzimeve të administratës lokale. Ndërkohë, borxhi publik total, ku përfshihen edhe detyrimet e prapambetura të bashkive dhe qeverisë, pritet të zbresë nga 73.3% në vitin 2016, në 71.5% në fund të 2017-ës. Sa i përket rritjes ekonomike, ajo duhet të jetë në masën 3.7 për qind vitin e ardhshëm, për të kaluar në 4 për qind më një afat të mesëm. Ndërsa qeveria është angazhuar për një projekt investimesh të Partneritetit Publik Privat (PPP), që mund të arrijë deri në 1 miliard euro, Fondi, në deklaratën e tij tërheq vëmendjen për rreziqet domethënëse fiskale që përmbajnë këto projekte. Në deklaratën zyrtare FMN vlerëson se borxhi ose detyrimi i mundshëm që vjen nga investimet e financuara nga PPP-të mund të arrijë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky borxh i mundshëm nuk është marrë parasysh nga qeveria, në parashikimin e saj që borxhi publik të zbresë në 63% të PBB-së deri në vitin 2021. Ndonëse FMN e ka paralajmëruar vazhdimisht qeverisë që të bënte kujdes për të mos krijuar detyrime të reja të prapambetura, ato janë rritur sërish. Sipas deklaratës, deri në fund të qershorit, qeveria lokale dhe qendrore ka akumuluar detyrime të prapambetura që arrijnë në 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që përfshin 0.3% të PBB-së si TVSH e parimbursuar. Teksa PBB është rreth 1.5 trilionë lekë, në vlerë absolute, detyrimet e prapambetura arrijnë në rreth 16.5 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë euro. FMN thotë në deklaratën zyrtare se plani i deklaruar për bashkimin e tatimeve e doganave duhet të rishikohet, duke pasur parasysh rrezikun e lartë që ky proces mund të ketë në mbledhjen e të ardhurave dhe në reformën që po zbaton administrata tatimore.

Artikulli paraprakE LIROI NË KORRIK, GJYQTARI DORËHIQET NGA GJYKIMI I DOSJES SE TE PANDEHURIT
Artikulli tjetërDHUNOHET AUSTRALIANIA, POLICI SHQIPTAR E FTON PËR JETË NATE