Franca ka marrë një fitore të lehtë ndaj Shqipërisë në ndeshjen kualifikuese për kampionatin Europian.

Kjo ndeshje nisi me një skandal pasi francezët ngatërruan himnin e Shqipërisë fillimisht dhe u deshën disa minuta derisa u këndua himni shqiptar. Gjelat nuk e patën të vështirë të shënonin plot katër gola ndaj një Shqipërie të dobët dhe pa ego në fushën e lojës.

Natyrshëm që francezët janë kampionët e botës dhe ishin favorit por nga ana e saj Shqipëria nuk tregoi asgjë në këtë përballje. Francezët vendosin menjëherë diktatin e tyre që në minutën e 8-të kur Koman i shpëton mbrojtjes shqiptare dhe arrin të futet brenda zonës duke mposhtur portierin Strakosha dhe duke shënuar golin e parë.

Shqipëria shpërqëndrohet totalisht nga ky gol i shpejtë i vendasve. Skuadra e Edi Rejas nuk e ka organizimin e duhur duke lënë francezët që të vallëzojnë në fushën e lojës. Në minutën e 27-të Shqipëria pëson golin e dytë teksa shënon Oliver Zhiru dhe praktikisht ndeshja është e mbyllur pë kuqezinjtë.

Në pjesën e parë mbrojtja kuqezi është totalisht jashtë loje ndërsa është Mavraj që shkakton një penallti por Grizman nuk tregohet e saktë duke goditur traversën e Strakoshës. Pjesa e parë mbyllet 2-0 ndërsa në të dytën është e njëjta tablo loje.

Është minuta e 68-të kur Koman realizon edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Francën ndërsa Shqipëria është inekzistente përballë kampionëve të botës. Trajneri Reja bën disa zëvendësime por është shumë vonë sepse gjithçka kishte përfunduar ndërsa skema e tij dhe vendosja e lojtarëve sidomos në mbrojtje nuk funksionoi.

Gjelat kanë kohë edhe për një gol tjetër teksa kësaj radhe është Ikone që çon në 4-0 shifrat. Kuqezinjtë zgjohen shumë vonë me disa tentative.

Cikalleshi fiton një penallti në minutën e 90-të dhe godet saktë duke realizuar golin e nderit. Ndeshja mbyllet 4-1 ndërsa Shqipëria thuajse ka mbyllur llogaritë për një kualifikim të mundshëm aq më tepër edhe pas fitores së Turqisë me Andorën.

Artikulli paraprakSHKODËR, GATI SHFAQJA E RE E AKTORIT SANDËR RUÇI
Artikulli tjetërKOSOVA E PAPËRMBAJTSHME, PËRMBYS ÇEKINË DHE FITON 2-1