Një tjetër gjyqtar largohet me dëshirë nga sistemi në prag të vettingut. Bëhet fjalë për ish-kryetarin e gjykatës së Apelit të Tiranës, Metush Saraçi, i cili i ka paraqitur dorëheqjen presidentit të Republikës, njëherësh dhe kryetari i KLD-së, si dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Mësohet se në dorëheqjen e tij, ish-kreu i gjykatës së Apelit të Tiranës ka dhënë si argument arsyet shëndetësore për shkak të moshës që sipas tij nuk e lejojnë të vijojë detyrën si gjyqtar në gjykatën e Apelit.

Dorëheqja e Saraçit vjen në një moment kur Komisioni ka përfunduar kontrollin e vettingut të listës prioritare të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kandidojnë për KLP dhe KLGJ dhe më pas janë shortuar për tu kontrolluar drejtuesit e prokurorive dhe gjykatave si dhe gjyqtarë dhe prokurorë të Apeleve.

Por Saraçi nuk është gjyqtari i vetëm që ka zgjedhur këtë rrugë për të shmangur Vettingun.

Më herët janë dorëhequr dhe gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, përfshirë dhe ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj dhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Por pavarësisht dorëheqjes, është KPK ajo që do të vendosë nëse do të ndërpresë apo jo vettingun për Saraçin.

Ndërkohë nga kontrollet e ushtruara deri më tani, KPK ka larguar nga sistemi 31 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa ka rikonfirmuar në detyrë 36 prej tyre.

Artikulli paraprakEGJE,”LISSUS” SHPËTON 84 KLANDESTINË NË DY GOMONE
Artikulli tjetërMANJANI: MAZHORANCA LOJË TË PISËT ME AMNISTINË, KËRKON TË JOSHË OPOZITËN