Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra ka “shpartalluar” ekipin e Gramshit. Vajzat kuqeblu arritën ta mposhtin këtë ekip me rezultatin e thellë 12-0 në stadiumin “Loro Boriçi”. Tetë prej golave të kësaj ndeshje janë shënuar që në pjesën e parë. Tre prej golave në këtë pjesë loje janë shënuar nga kapitenja Esmeralda Franja. Ndërkohë, sulmuesja Klaudia Boriçi ka shënuar dy gola, ndërsa nga një gol kanë shënuar Risa Yamada, Fortesa Berisha dhe Luçije Gjini.

Në pjesën e dytë, vajzat kuqeblu kanë shënuar edhe katër gola të tjerë, me anë të Rrezona Ramadanit, Jehona Shalës me dopietë, ndërsa ka patur vend edhe për një gol tjetër nga sulmuesja Fortesa Berisha. Përfundimisht, 12-0 për Vllazninë. Pas kësaj fitoreje, trajneri i ekipit kuqeblu, Nikolin Leka, tha se ishte një rezultat i pritshëm, duke marrë në konsideratë diferencat mes dy skuadrave.

Futbollistja Arbiona Bajraktari u rikthye të luajë sërish pas gati tre vitesh larg fushës së blertë për shkak të disa dëmtimeve të rënda, teksa ajo u shpreh e lumtur që vuajtjet e saj po marrin fund.

Në mbyllje të javës së 12-të të kampionatit kombëtar, Vllaznia është e vetme në krye të renditjes me 33-pikë dhe tashmë, ajo ecën e sigurtë drejt titullit të 11-të kampion rradhazi. Ndërkohë që, rivalja e saj Tirana është mposhtur 0-3 në Fier nga Apolonia. Megjithatë, këtë sezon çdo gjë do të vendoset pas ndeshjeve të “Final Four”.

Artikulli paraprakVIHET NË SKENË KRIJIMTARIA E GJOVALIN DUSHAJ
Artikulli tjetërVLLAZNIA FUTSALL FITON NDAJ FLAMURTARIT