Një vit i mbushur me evenimente të rëndësishme në botën e futbollit. Franca ngriti Kupën e Botës, sakaq Kombëtarja shqiptare dështoi në Ligën e Kombeve. Viti 2018, ishte viti i dardanëve, pas shkëlqimit të Kosovës në renditjen e FIFA-s dhe Ligën e Kombeve. Cristiano Ronaldo kaloi në Juventus, ndërsa Gianluiggi Buffon u largua pas 15 vitesh nga bardhezinjtë.

Ecuria e Kombëtares dhe Kosova!

2018-ta për Kombëtaren e futbollit është një vit për t’u harruar sa më shpejt. Viti kalendarik nisi me një humbje në miqësoren me Norvegjinë në mars. Vijoi me dy humbje turpëruese në qershor ndaj Kosovës dhe Ukrainës dhe më pas erdhi dështimi në Ligën e Kombeve. Ky kompeticion nga një mundësi e artë për tu kualifikuar në Europian u kthye në makth për kuqezinjtë.2018-ta ishte viti i Kosovës. Shkëlqimi më i madh i “dardanëve” ishte në Ligën e Kombeve ku Kosova e fitoi grupin D3 dhe ka një shans të artë për të shkuar në “Euro 2020”.

Me 4 fitore dhe 2 barazime,15 gola të shënuar ,vetëm 2 të pësuar dhe 14 pikë Kosova la pas Azerbajxhanin. Mundësia tjetër është nëpërmjet kualifikueseve të Euro 2020 ku Kosova u shortua në grupin A së bashku me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi. Vitin në FIFA , Kosova e mbylli në vendin e 131-të.

Reali fiton Championsin dhe Botërorin e klubeve!

Champions League është trofeu i Real Madrid dhe kështu ndodhi edhe për 2018-tën. Reali u shpall kampion i Europës pasi skuadra e Zidane mposhti 3-1 në Kiev Liverpoolin duke fituar Championsin e 13-të në histori dhe të tretin radhazi. Në pjesën e parë episodi që mbahet mend është dëmtimi i Salah pas një dueli me Sergio Ramos ndërsa në pjesën e dytë erdhën dy gafat e portierit Loris Karius dhe golat e takimit. Benzema kaloi Realin në avantazh dhe Mane barazoi ndërsa më pas erdhi dygolëshi i Gareth Bale dhe Ramos ngriti sërish në qiell trofeun me vëshë të mëdhenj.

Edhe pse me një ecuri jo të mirë në kampionat në fund të vitit Los Blancos bënë sërish atë që dinë të bëjnë më mirë, të fitojnë trofe. Për të tretin vit me radhë Reali fitoi edhe Botërorin e Klubeve. Në gjysmëfinale mundën Kashiman 3-1 me një tregolësh spektakolar të Gareth Bale.

Ndërsa në finalen e madhe Reali mposhti Al Ain 4-1 për të ngritur trofeun në qiellin e Abu Dhabit.

Luka Modric fiton “Topin e Artë”

Fundi i një epoke. Luka Modric fiton “Topin e Artë” 2018 çmimin prestigjoz individual duke i dhënë fund dominimit dhjetëvjeçar të Leo Messit dhe Cristiano Ronaldos. Kroati ishte Mbreti i mbrëmjes dhe triumfuesi i “Topit të Artë” që jepet nga revista “France Football”.

Mesfushori i Real Madrid u rendit i pari nga votat e 176 gazetarëve nga e gjithë bota duke grumbulluar 753 pikë. Pas Modric në podium u renditën Cristiano Ronaldo me thuajse gjysmën e pikëve 476 dhe Griezmann me 414 pikë. Në vendin e katërt u rendit Mbappe që fitoi edhe çmimin Kopa si i riu më i mirë ndërsa vetëm vendi i pestë për Leo Messin që ngelet jashtë podiumit për herë të parë pas 11 vitesh.

2018-ta ishte viti i Modric që rrëmbeu çdo trofe të mundshëm individual. Përpara se të fitonte “Topin e Artë” nga “France Football” ballkansi ishte zgjedhur edhe si futbollisti më i mirë nga FIFA dhe UEFA, lojtari më i mirë nga Instituti i Historisë dhe Statistikave dhe si lojtari më i mirë i Kupës së Botës. Modric fitoi Championsin me Realin dhe dërgoi Kroacinë në finalen e Kupës së Botës. Modric mëse i lumtur me “Topin e Artë” në duar tha në ceremoninë e zhvilluar në Paris.

“Është një nder dhe nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë moment. Dua të falenderoj të gjithë të pranishmit, Real Madrid, Kombëtaren time dhe familjen. Kur je fëmijë ke ëndrra dhe e imja ishte që të luaja në një klub të madh dhe të fitoja trofe por “Topi i Artë” është maksimumi” e mbyll Modric. Besnik Dizdari ishte gazetari shqiptar që votoi për “Topin e Artë” duke i dhënë pikët maksimale francezit Griezmann dhe më pas renditja e tij vijon me Modric, Ronaldo, Messi dhe Mbappe.

Bayerni fiton titullin dhe Superkupën, Frankfurti Kupën!

Bayerni i Mynihut u konfirmua kampion i Gjermanisë. Skuadra e Jupp Heynckes fitoi 4-1 në shtëpinë e Augsburg në javën e 29-të të Bundesligës dhe fitoi titullin numër 28-të në historinë e lavdishme dhe të gjashtin, një rekord më vete.

Franca Kampione e Botes !

Në një Kupë Bote ku Italia mungonte , Gjermania u eliminua që në fazën e grupeve , Argjentina e Messit dhe Portugalia e Ronaldos që në fazën e 1/8 protagonisten e bëri Kroacia ndërsa Kupën e fitoi Franca. Gjermania u turpërua, nuk e kaloi dot as fazën e grupeve madje në ndeshjen e fundit u mposht edhe nga Koreja e Jugut. Kroacia jetoi një ëndërr që zgjati shumë dhe ishte padyshim protagonistja kryesore e Kupës së Botës. Ballkanasit arritën dhe përmirësuan “Francë 1998” por u rrëzuan tek më e bukura , në finale. Megjithatë Kroacia nënkampione bëri një Botëror për t’i hequr kapelen.

Kupën në qiellin e Moskës e ngriti Franca. Gjelat fituan Botërorin “Rusi 2018” pasi mposhtën Kroacinë në finale 4-2. Autogoli i Mandzukic hapi serinë e golave por barazoi Perisic për skuadrën e Dalic dhe Griezmann me penallti mbylli në avantazh për Francën pjesën e parë. Mbappe dhe Pogba thelluan avantazhin në fraksionin e dytë ndërsa Mandzukic shleu fajin e autogolit duke fiksuar shifrat Francë 4 e Kroaci 2. Festa ishte e gjitha e Francës që fiton për herë të dytë në histori Kupën e Botës. Mund të jesh tifoz me Gjermaninë, Brazilin ,Italinë, Anglinë apo edhe Francën megjithatë nëse ka një ndeshje që mbarë shqiptaria do e mbajë mend nga “Rusi 2018” ajo është Zvicër-Serbi 2-1. Helvetët përmbysën serbët me golat e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit por festimi i tyre me shqiponjë bëri xhiron e Botës dhe na bëri krenar.

Artikulli paraprakPERSONAZHET TRIUMFUES TË 2018-ËS
Artikulli tjetërMETA URON NGA FAMILJET E DRITERO AGOLLIT, FATMIR FRASHËRIT DHE OLEN ÇEZARIT