Një sërë kompeticionesh rrëmbyen vëmendjen e të gjithëve gjatë këtij viti. Të konkurrosh mes emrave më të njohur gara bëhet më e fortë, megjithatë këta personazhe VIP arritën që të ktheheshin në shtëpi me një trofe.

Përveçse në këndim, Soni Malaj ka aftësi të veçanta edhe në kërcim dhe pikërisht për këtë arsye u shpall fituese e spektaklit “Dancing With the Stars”. Përkrah partnerit të saj në kërcim, Dion Gjinika, Soni shkëlqeu në të gjitha performancat e saj. Për më tepër ajo mori dhe vlerësimin maksimal nga vetë kryetari i jurisë, Ilir Shaqiri, i cili e cilësoi si një balerinë profesioniste.

‘Mall’ ishte kënga, me të cilën Eugent Bushpepa përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision Song Contest 2018”. Zëri i fuqishëm i Eugentit tërhoqi vëmendjen e të gjithë fansave të festivalit më të madh europian. Artisti arriti të bënte krenarë të gjithë shqiptarët dhe për këtë arsye pas pjesëmarrjes në ‘Eurovision’ u vlerësua me një tjetër çmim shumë të rëndësishëm.

Mes emrave më të njohur të muzikës shqiptare si: Elton Deda, Aurela Gaçe, Elhaida Dani, Alban Skënderaj dhe Miraim Cani si dhe Anxhela Peristeri, Bushpepa fitoi çmimin e ‘Këngës së vitit’ në ndarjen e çmimeve ‘Kult’.

Pas një mungese relativisht të gjatë në kompeticionet muzikore, Flori Mumajesi u rikthye sërish për të triumfuar në 20-vjetorin e ‘Kënga Magjike’. Balada e ndjerë, ‘Plas’, rrëmbeu zemrat e publikut në një kohë fare të shkurtër dhe mund të cilësohet edhe si një nga hitet e këtij viti. Flori fitoi edhe çmimin ‘Balada më e mirë’ dhe gjithçka ia dedikoi fansave të muzikës së tij, që e kanë mbështetur në çdo moment.

Rikthimi i saj në një festival këtë vit rezultoi më i suksesshëm se kurrë. Jonida Maliqiarriti të triumfonte në ‘Festivalin e Këngës’ në ‘RTSH’ përballë artistëve më të mirë shqiptarë. ‘Ktheju tokës’ është kënga me të cilën Maliqi do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”.

Me zërin e saj potent dhe mesazhin e fuqishëm të këngës, që prek pothuajse të gjithë shqiptarët, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Jonida fitoi dhe është plotësisht gati për të provuar skenën magjike të “Eurosong” në Izrael.

Çifti i njohur i aktorëve Eni Jani dhe Genc Fuga u shpallën fitues në spektaklin e kërcimit “Dance With Me”. Falë përkushtimit të tyre dhe seriozitetit në garë, ata nuk mund të dalloheshin nga trupa profesioniste e balerinëve. Përveçse morën të gjitha komentet pozitive të jurisë, ata ishin edhe një nga çiftet më të preferuara të publikut.

16-vjeçarja Alba Bajrami rrëmbeu kurorën e më të bukurës shqiptare në edicionin e 20-të të “Miss Shqipëria”. Pavarësisht se ishte eksperienca e saj e parë si modele, Alba arriti të fitonte mes 31 vajzave bukuroshe.

Trejsi Sejdini u shpall si më e bukura mes 23 vajzave konkurrente në ‘Miss Universe Albania’. 18-vjeçarja nga Elbasani përfaqësoi Shqipërinë edhe në kompeticionin ndërkombëtar të ‘Miss Universe’, të organizuar në Tailandë. Pavarësisht se nuk ia doli të triumfonte, ajo fitoi zemrat e shumë fansave tajlandezë dhe jo vetëm.

Artikulli paraprakVITI 2018, U HODHEN THEMELET E DREJTËSISË SË RE. VETTING-U DJEG PROKURORË DHE GJYQTARË
Artikulli tjetërFUTBOLLI NË 365 DITË: DËSHTIMI I KOMBËTARES, FRANCA KAMPIONE E BOTËS, MODRIC “TOPI I ARTË”