
Pas bojkotit të dy seancave stërvitore gjatë ditës së enjte, futbollistët e Vllaznisë janë rikthyer këtë të premte në fushë. Vendimi për të rifilluar përgatitjet erdhi pas një mbledhjeje të zhvilluar në ambientet e stadiumit, ku drejtuesit e klubit u kanë premtuar lojtarëve se gjatë ditës së sotme do të marrin një pjesë të pagës mujore. Ndërkohë, deri në fund të muajit pritet të shlyhet edhe një pjesë e pagave të prapambetura, por jo e gjithë shuma e detyrimeve financiare ndaj futbollistëve. Mbledhja nuk ka kaluar pa debate, pasi situata financiare dhe vonesat në pagesa kanë krijuar pakënaqësi në radhët e skuadrës. Megjithatë, me sfidën ndaj Dinamos që është vetëm dy ditë larg, futbollistët kanë pranuar të rikthehen në stërvitje dhe të përqendrohen te përgatitjet për ndeshjen e radhës. Pas përfundimit të takimit, lojtarët kanë mbërritur njëri pas tjetrit në fushën sportive “Reshit Rusi”, ku kanë nisur seancën stërvitore. Në stërvitje kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët, përfshirë edhe dy kapitenët, Bekim Balaj dhe Erdenis Gurishta.
I pakënaqur me situatën aktuale është shfaqur edhe trajneri i ri, Csaba Laszlo, i cili, megjithatë, përpara nisjes së seancës është përpjekur të motivojë skuadrën në këtë moment të vështirë për klubin shkodran. Ndryshe nga dita e enjte, kur presidenti Alban Xhaferi qëndroi në “Reshit Rusi” në pritje të futbollistëve, por në fushë u paraqitën vetëm katër lojtarë të rinj, këtë të premte ai nuk ka qenë i pranishëm as në mbledhjen me skuadrën dhe as në seancën stërvitore. I vetmi përfaqësues i drejtuesve të klubit ka qenë drejtori i ri teknik, Alban Hasani, i cili ka marrë së fundmi këtë detyrë pas dorëheqjes së Vioresin Sinanit. Tashmë, kuqeblutë kanë nisur përgatitjet për përballjen e së dielës ndaj Dinamos, një kundërshtar i vështirë që vjen në një moment delikat për Vllazninë. Përveç problemeve financiare dhe pagave të pashlyera, shkodranët ndodhen edhe në vendin e fundit të renditjes, çka e bën edhe më të rëndësishme sfidën e radhës. Në këto kushte, për skuadrën e drejtuar nga Laszlo, objektivi është të lërë pas krizën e ditëve të fundit dhe të kërkojë një rezultat pozitiv në fushën e lojës.


