Greqia dhe Serbia kanë rikonfirmuar marrëdhëniet strategjike dhe vendosmërinë për t’i çuar ato në një nivel më të lartë.

Këto deklarata janë bërë sot në Selanik, nga kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Të dy ata drejtojnë delegacionet respektive në takimin e këshillit të lartë të bashkëpunimit, që po mbahet për herë të parë mes këtyre dy vendeve. Takimi ka konkluduar në nënshkrimin e katër marrëveshjeve të bashkëpunimit, në fushën e energjisë, transportit, rrjeteve dhe turizmit.

Sipas Kryeministrit grek, është vendosur krijimi i ndërlidhjes hekurudhore në aksin Pire-Selanik-Beograd, si dhe promovimi i linjave të interkonjeksionit të gazsjellësve TAP, IGB dhe IBS, që do të kalojnë përmes Greqisë. Tsipras ka veçuar faktin se Greqia është investitori i tretë i huaj në Serbi, ndërkohë që ka theksuar se miqësia e madhe ndërmjet të dy vendeve duhet shfrytëzuar me terma të rinj dhe në shumë nivele.

Tsipras bëri të njohur edhe vendimin e qeverisë për njohjen nga Greqia të lejeve serbe të drejtimit të mjeteve. Ai gjithashtu përcolli përgjigjen e presidentit Prokopis Pavlopulos që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së homologut serb Vuçiç, për të vizituar Beogradin në muajin tetor. Presidenti serb i është referuar edhe mosmarrëveshjes midis Greqisë dhe Shkupit për emrin kushtetues të Maqedonisë.

Vuçiç ka kritikuar qeveritë e mëparshme serbe, që e kanë njohur Maqedonisnë, pavarësisht kundërshtimeve të Greqisë. “Greqia nuk e njohu pavarësinë e Kosovës, ishte me ne, por ne nuk i kemi treguar respektin e duhur Greqisë”, deklaroi Vuçiç. Gjithësesi, ai tha se tash e tutje Serbia do të gjendet në krah të Greqisë për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Artikulli paraprakRRETH 74 GRA DHE FËMIJË NGA KOSOVA MBETEN ENDE NË KONFLIKTIN E SIRISË
Artikulli tjetërGJOBA MBI 500 EURO PËR TURISTËT QË NDOTIN QENDRËN