Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët, shoqëria civile por edhe subjektet politike që të tregohet kujdes me personat e ardhur nga Shqipëria, të cilët kanë hyrë në territorin e Kosovës, pas tërmetit të 26 nëntorit që la të vdekur 51 njerëz.

“Çdo shtetas i Shqipërisë, që hyn në territorin e Kosovës, nuk do të mbetet pa strehë, por nuk është në rregull një zhvendosje pa kritere e njerëzve që vijnë nga zonat që nuk janë prekur nga tërmeti. Dikush po i mashtron njerëzit, po i mbush autobusët po i sjell në kushte të vështira, është dimër, nuk është në rregull. Keqpërdorimi i kësaj gjendjeje nuk është në rregull, duhet të ketë kujdes”, shprehet Haradinaj.

Haradinaj më pas u bëri thirrje qytetarëve nga zonat e paprekura nga tërmeti në Shqipëri, që të mos të vijnë në Kosovë. Ai tha se bëhet fjalë për atë kategori të qytetarëve të cilët pretendojnë se nëse vendosen në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren, mund të dërgohen në shtetin e Gjermanisë. Kjo, sipas tij, nuk është e vërtetë.

“Nuk është e vërtet ata që hynë në parkun Gjerman i dërgojmë në Gjermani, është mashtrim. Kushdo që vjen aty do ta ketë kujdesin tonë se ne jemi vëllezër por nuk është e vërtet që nga aty i ngarkojmë në aviona dhe i dërgojmë në Gjemani me bileta fal e strehim fal në Gjermani, kjo është një zgjidhje emergjente. Kushdo që është në zor ne i trajtojmë me respekt por mos t’i mashtrojmë për t’i pruar në Kosovë, për shembull shkon atje një këngëtar e mbush një autobus dhe vjen e lëshon midis Prishtinës dhe kërkon shtab emergjent ose shkojnë OJQ-të, mbush automjetet e bjerë këndej, ngadalë duhet të bëhet një planifikim, një koordinim dhe të punohet si i ka hije”, ka thënë Haradinaj.

Pas tërmetit, qe goditi Shqipërinë më 26 nëntor, numri i personave të ardhur në territorin e Kosovës, ende nuk dihet saktësisht nga institucionet e Kosovës.

Artikulli paraprakKURBIN, FAMILJET E PREKURA NGA TËRMETI APEL PËR NDIHMË
Artikulli tjetërMETA: VURI ZEMRËN NË KËTË AKSION. BEBE REXHA THIRRJE SHQIPTARËVE: MOMENTI JUAJ QË TË KONTRIBUONI PËR FAMILJET NË NEVOJË