Një debat është hapur në Shkodër mbi figurën e Hasan Riza Pashës nëse ishte mbrojtës i Shkodrës apo një pushtues i Perandorisë Osmane. Për çdo vit ambasada e Turqisë në Shqipëri përkujton në Shkodër fitoren në luftën e Çanakalesë duke qenë se ndër 280 mijë të rënët në këtë betejë 109 vite më parë, afro 25 mijë janë shqiptarë. Ky triumf i turqve përballë ushtrisë angleze dhe franceze përkujtohet tek lapidari i Hasan Riza Pashës, në qendër të qytetit të Shkodrës.

Këtë figurë turqit dhe një pjesë e shqiptarëve e cilësojnë si mbrojtës të Shkodrës i cili shpëtoi qytetin nga rrethimi dhe pushtimi i serbo malazezve përpara shpalljes së Pavarësisë në Shqipëri deri në prillin e 1913-ës. Ndërkohë një pjesë tjetër, si famullitari i Kukelit në Vau Dejës dom Nikë Ukgjini e cilëson Hasan Riza Pashën si një pushtues në vendin tonë dhe luftën e Çanakalesë si një ngjarje që nuk na përket pasi në atë betejë humbën jetën 25 mijë shqiptarë. Ukgjini një ditë përpara zhvillimit të përkujtimit të luftës së Çanakalesë reagoi në rrjetet sociale.

“Lufta e Çanakalas, ose beteja e Gallipolit në prill 1915 deri më 9 janar 1916 në Turqi, nga njëra anë luftonin ushtritë Angleze dhe Franceze dhe në anën tjetër luftonte ushtria osmane me ndihmë nga Austro-Hungaria dhe Gjermania. Në këtë beteje, pësuan pa ndonjë arsye të logjikshme tragjikisht rreth 25.000 shqiptar, kryesisht të shpërngulur dhunshëm para vitit 1912 në Turqi dhe të tjerë të organizuar nga disa qytete të trojeve arbërore. Me këtë rast në rolin e një intelektuali, shtrojë pyetjen, perse na u dashka kjo ngjarje nga Ambasada Turke të përkujtohej në Shkodër e pikërisht të përkujtimorja e komandantit pushtues, Hasan Riza Pasha, e ngritur para disa viteve në mënyrë enigmatike !? Përgjigjen i takon të jap Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dhe pushteti lokal në Shkodër”, shkruan Ukgjini i cili përveçse një klerik, është edhe një studiues i ngjarjeve historike.
Ukgjini reagoi edhe në fillim të muajit mars të këtij viti për një tjetër aktivitet të autoriteteve turke në universitetin e Shkodrës mbi figurën e Hasan Riza Pashës duke shkruar “po që kur Hasan Riza Pasha është heroi i Shkodrës?! Po univesiteti i Shkodrës ç’pati me të”.

Për këto reagime të dom Nikë Ukgjini deri më tani institucionet nuk kanë dhënë asnjë përgjigje. Ndërkohë në përkujtimin e luftës së Çanakalesë në Shkodër munguan drejtuesit vendor duke vendosur që të mos marrin pjesë.

https://youtu.be/bFv2fB4lLbA

Artikulli paraprak“HASAN RIZA PASHA MBROJTËSI I SHKODRËS”
Artikulli tjetërOSHEE PROPOZON NDRYSHIM TË ÇMIMIT TË ENERGJISË PËR FURRAT E BUKËS