Agron Gjekmarkaj ka vendosur të japë dorëheqjen nga funksionet e PD-së, pas disfatës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të mbajtura në gjashtë bashki në vend. Vetë nënkryetari i PD-së, Gjekmarkaj e ka bërë publik vendimin e tij në mbledhjen e grupit, atë që më herët e ka dhënë në një status në rrjetet sociale. Ai i ka kërkuar Bashës të mbajë përgjegjësi dhe shembullin e ka dhënë vetë i pari, duke dhënë dorëheqjen. Këtë të hënë, përmes një shkrimi në “Facebook”, deputeti demokrat e cilësoi humbje tronditëse rezultatin e zgjedhjeve lokale në gjashtë bashki të vendit. Çdo justifikim është i papranueshëm, thekson ai.

“Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi. Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshëm!

PD duhet të mbledhë sonte me urgjencë organet e saj dhe të nxjerrë përgjegjësitë që çuan në këtë katastrofë elektorale. Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarëve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj pergjegjësinë time. Nuk do t’i shmangem asaj për asnjë arsye apo interes që bie në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë dhe parimet e mia etike”.

Artikulli paraprakKUVENDI VOTOI REZOLUTËN KUNDËR AGRESIONIT RUS, META: PËRSHËNDES MIRATIMIN, SOLIDARIZOHEMI ME UKRAINËN
Artikulli tjetërGJEKMARKAJ REAGON PËR HERË TË PARË PAS DORËHEQJES NGA POSTI I NËNKRYETARIT TË PD