Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se turizmi shihet si një ndër shtyllat e ekonomisë dhe se lehtësitë fiskale të miratuara dhanë efekt në rritjen e këtij sektori. Në fjalën e saj në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit që po mbahet në Tiranë, ministrja theksoi se të ardhurat nga ky sektori llogariten 2.8 miliardë euro, me një rritje prej 1.9 miliardë eurosh krahasuar me vitin 2019. Sipas Ibrahimajt, ishte ndër të vetmit sektor që vijoi të ketë kontribut pozitiv në rritje.

“Vlera e përafërt e investimeve në fushën e turizmit është rritur me 44.6 % në krahasim me 2021-shin, ndërkohë që aktiviteti tregtar rezulton me rritje prej 40%, ose 9.3 miliardë lekë më shumë në krahasim me 2021-shin”, deklaroi ministrja.Duke folur për investimet strategjike, Ibrahimaj vuri në dukje se nga 39 projekte të miratuara, 30 projekte janë në sektorin e turizmit.

“Ndërmorëm lehtësi fiskale me qëllim rritjen e investimeve, si përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, reduktimi i TVSH-së në 6 % për shërbimet dhe sektorin e akomodimit, përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, etj. Të gjitha këto me synim, nxitjen e investimeve cilësore në këtë sektor. Masat kanë sjellë frute. Nga 30 investime strategjike të miratuara që nga viti 2015, 30 janë në sektorin e turizmit”, deklaroi ajo. Ajo theksoi se numri i të huajve që vizituan vendin tonë shënoi rritje me 1 milion qytetarë në vitin 2022, krahasuar me vitin 2019, kur Shqipëria u vizitua nga 6.5 milionë të huaj.

Artikulli paraprak74-VJETORI I THEMELIMIT TË NATO/ META: SHQIPËRIA TË ANGAZHOHET PËR T’I SHËRBYER ALEANCËS NË RUAJTJEN E STABILITETIT E SIGURISË
Artikulli tjetërMINISTRI ITALIAN I PUNËVE TË JASHTME: KUJDES! BE NUK MUND T’I LEJOJË VETES TË HUMBË BALLKANIN PERËNDIMOR