Përveç ndërtimeve madhore të segmenteve rrugore me anë të koncesioneve të Partneritetit Publik-Privat, edhe vetë shteti ka parashikuar të investojë direkt në disa nga rrugët nacionale në ndërtim gjatë periudhës që përfshihet në buxhetin afatmesëm, deri në vitin 2022.

Nga buxheti i shtetit do të jepen miliarda lekë për të vijuar kryesisht segmente të cilat kanë filluar më parë, por që duan kohë të mbarojnë. Sipas buxhetit, qeveria parashikon që kantieret shtetërore të përfundojnë projektet e filluara në vitin 2021, që është edhe vit elektoral, gjatë të cilit do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

Në radhë të parë, këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të kanalizohen fonde të konsiderueshme në projektin e jugut, që shkurton rrugën nga veriu drejt Sarandës. Tre lote të rrugës Kardhiq-Delvinë do të përfitojnë nga rreth 500 milionë lekë secili këtë vit, por shifrat do të kalojnë në më shumë se një miliard lekë për secilin vitin e ardhshëm. Në buxhet përfshihet edhe loti 7,

që përmban edhe ndërtimin e një tuneli, i cili e përfundon segmentin, por që kohët e fundit ka hasur në probleme me procedurat e tenderimit, duke qenë se ankesat e subjekteve pjesëmarrës kanë kthyer procesin nga e para. Për këtë lot të fundit parashikohen 560 milionë lekë këtë vit dhe 2.3 miliardë lekë vitin e ardhshëm.

Duke qenë se nuk parashikohet fond për vitin 2021, duket se qeveria parashikon që ta mbyllë gjithë rrugën vitin e ardhshëm. Unaza e Madhe e Tiranës është fronti tjetër që do të marrë fonde të konsiderueshme në kuadër të ndërtimit të rrugëve. Këtu punimet do të përqendrohen në pjesën perëndimore, ku ecuria pengohet nga protestat e banorëve të “Astirit”, si dhe nga bllokimi i tenderit për lotin tek sheshi “Shqiponja”,

por do të përfshijnë edhe pjesën lindore, nga kthesa e Saukut deri tek Bregu i Lumit. Edhe këtu do të jepen më shumë financime vitin e ardhshëm, se këtë vit, me synimin që këto lote të përfundojnë kryesisht në vitin 2020, me përjashtim të lotit të “Shqiponjës” që mendohet të mbarijë në fund të 2021-shit.

Tjetër segment që do të marrë vëmendje, është ai i filluar që prej më shumë se gjashtë vjetësh, por të cilit iu ndryshua projekti. Fjala është për rrugën nga Qukësi në Qafë Plloçë, që shkurton shumë rrugën drejt Korçës dhe Greqisë. Kjo vepër ndërtohet me financimin e disa investitorëve të huaj shtetërore ose nga organizata ndërkombëtare dhe gjithashtu parashikohet të mbarojë në fund të vitit 2020.

Një vepër e re është parashikuar në afërsi të TEG-ut në Tiranë, që do të konkretizohet në një mbikalim me kosto 1.6 miliardë lekë gjatë vitit të ardhshëm, kurse një risi tjetër është fillimi i ndërtimit të By Pass-it të Elbasanit, që shmang trafikun e rënduar brenda qytetit. Ky u fundit do të financohet në vitet 2020-2022.

Projekte të tjera janë rruga Krujë-Fushë Krujë, Skrapar-Përmet Loti 1, Elbasan-Banjë Loti 3, By Passi i Shkodrës, ai i Tepelenës, etj. Të gjitha këto projekte nuk kanë të bëjnë me grupin e investimeve me koncesion, si Rruga e Arbërit, Rruga e Kombit, etj.

Risitë

Një vepër e re është parashikuar në afërsi të TEG-ut në Tiranë, që do të konkretizohet në një mbikalim me kosto 1.6 miliardë lekë gjatë vitit të ardhshëm, sëbashku me ndërtimin e By Pass-it të Elbasanit

Zgjedhjet

Sipas buxhetit, qeveria parashikon që kantieret shtetërore të përfundojnë projektet e filluara në vitin 2021, që është edhe vit elektoral, gjatë të cilit do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare

Artikulli paraprakVALUTAT/ EURO RIFITON TERREN NDAJ LEKUT, TANI NË NIVELIN 122.66
Artikulli tjetërPAS PLAGOSJES SË DY TURISTËVE, MBYLLET PËR SHKAQE SIGURIE PARKU I SYRIT TË KALTËR